Katër vendet e BE-së që mbështesin hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

  • 14 October 2019 - 19:09
Katër vendet e BE-së që mbështesin hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Ministrat e Jashtëm të katër vendeve anëtare të BE-së, kanë bërë thirrje për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

“Një vendim i Bashkimit Evropian për mundësinë e fillimit të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë vjen në një kohë kur vendet anëtare po përballen me sfida të shumta”, thuhet në letrën e bashkë-nënshkruar nga Tomas Petriçek, ministri i Jashtëm çek, Peter Szijjarto, ministër i Jashtëm hungarez, Jacek Czaputowicz nga Polonia dhe Miroslav Lajçak, kryediplomat i Sllovakisë.

“Sidoqoftë, çështjet që ndodhën përpara (Brexit-i, migracioni, paqëndrueshmëria e vendeve fiqnje, dhe mandati i Komisionit të ri Evropian) nuk duhet të na shkëpusin nga ajo që mund të arrijmë, nëse i përmbahemi angazhimeve në rajon”, thuhet në letrën e tyre, të cilën e ka publikuar Politico.

Ministrat kujtojnë se perspektiva e anëtarësimit në BE u ishte premtuar të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në samitin e vitit 2003 në Selanik, vetëm disa muaj pasi negociatat e pranimit me dhjetë anëtarë të rinj të BE-së u nënshkruan në Athinë.

“Sot, 16 vjet pas Samitit të Selanikut, ne jemi të kënaqur të shohim se si zgjerimi i BE-së është dëshmuar të jetë një nga politikat më të suksesshme. Përparimi i bërë nga vendet e Ballkanit Perëndimor ka qenë mbresëlënës. Ata kanë transformuar ekonomitë e tyre, gjyqësorin, administratën publike dhe sigurinë”, theksojnë kryediplomatët e katër vendeve të BE-së.

Në një takim ministrorë që do të mbahet në Luksemburg më 15 tetor, ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së duhet të vendosin për hapjen ose jo të negociatave të pranimit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Ky vendim duhet të konfirmohet më pas në një samit, i cili do të zhvillohet në 17-18 tetor në Bruksel.

Në mbledhjen e tyre në qershor, ministrat miratuan konkluzionet për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke premtuar se do të marrin një vendim “jo më vonë se tetori i vitit 2019”.

Franca dhe Hollanda janë ndër kundërshtarët kryesorë të hapjes së negociatave të pranimit.


(Kosova Sot Online)