Kërkohet përjashtimi i Listës Serbe, ja arsyeja!

  • 15 October 2019 - 18:47
Kërkohet përjashtimi i Listës Serbe, ja arsyeja!

“Pas helmimit të stafit të QNR-së me zarfet e helmuara nga Serbia, nuk ka nevojë të ndodhë asgjë tjetër dhe as të lejohen provokime të tjera në Republikën e Kosovës nga ndërhyrja e Serbisë përmes listës së instrumentalizuar serbe, por duhet përjashtuar nga sistemi politik i Kosovës Listën Serbe e cila nuk përfaqëson interesat e serbëve të Kosovës, por interesat hegjemoniste dhe gjenocidiale të Serbisë për destabilizimin e Kosovës”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Derisa zyrtarët e shtetit të Serbisë po tallen me institucionet e Kosovës dhe deklarimin për dyshimet e helmimit të stafit për verifikimin e votave të ardhura nga Serbia, analistët politik në Kosovë kërkojnë ndryshim të plotë të qëndrimit të shtetit të Kosovës ndaj Listës Serbe.

Image
Florim Zeqa

Analisti politik, Florim Zeqa thotë se ky lloj ataku ndaj shtetit, institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës tregon më së miri se në shtetin e Serbisë, akoma janë në funksion instrumentet e politikës kriminale të Millosheviqit.

“Helmimi i zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve gjatë numërimit të votave, pas hapjes së zarfeve të ardhura nga Serbia, është një sulm kimik-biologjik ndaj një institucioni, por edhe vetë Kosovës i cili na kujton një histori të ngjashme të para 30 vitesh, ku në marsin dhe prillin e vitit 1990 u helmuan më shumë se 7 mijë nxënës shqiptarë të shkollave të Kosovës. Ky veprim armiqësorë i Serbisë, përveç çrregullimit të numërimit dhe verifikimit të votave, na tregon se ajo asgjë nuk ka ndryshuar nga koha e Millosheviqit ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi”, tha Zeqa për Kosova Sot Online”. 

E derisa ky lloj skenari është përgatitur jashtë Kosovës në kërkim të votave të Listës Serbe, dhe kryesisht menaxhimin e zgjedhjeve nga njerëz të Listës, Zeqa thotë se tash e tutje duhet ndryshuar edhe sjelljet dhe qëndrimet ndaj këtij subjekti politik, duke mos përjashtuar opsionin e shpalljes parti të ndaluar për veprimet në kundërshtim me kushtetutën e vendit dhe rrezikimin e sigurisë.

“Andaj, qeveria në ardhje dhe deputetët e legjislaturës së shtatë duhet të nxjerrin mësimin e duhur për qasjen ndaj Listës Serbe, e cila nuk është subjekt politik që njeh Republikën e Kosovës, por është produkt i Beogradit që helmon dhe minon nga brenda shtetin e Kosovës. Pas helmimit të stafit të QNR-së me zarfet e helmuara nga Serbia, nuk ka nevojë të ndodhë asgjë tjetër dhe as të lejohen provokime të tjera në Republikën e Kosovës nga ndërhyrja e Serbisë përmes listës së instrumentalizuar serbe, por duhet përjashtuar nga sistemi politik i Kosovës Listën Serbe e cila nuk përfaqëson interesat e serbëve të Kosovës, por interesat hegjemoniste dhe gjenocidiale të Serbisë për destabilizimin e Kosovës”, deklaroi Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)