Sandsers dhe Warren mbledhin më së shumti fonde për fushatë

  • 16 October 2019 - 15:56
Sandsers dhe Warren mbledhin më së shumti fonde për fushatë

Kandidatët demokratë për president të Shteteve të Bashkuara, Bernie Sanders dhe Elizabeth Warren, prijnë në listën e figurave me më së shumti para të mbledhura për fushatën zgjedhore. Ata madje e kanë tejkaluar edhe ish-zëvenëspresidentin amerikan dhe njërin ndër favoritët për fitore brenda Partisë Demokratike, Joe Biden.

Bernie Sanders, i cili gjithashtu po cilësohet si njëri ndër kandidatët më seriozë, deri tash i ka grumbulluar 33.7 milionë dollarë për fushatë. Pas tij vjen kandidatja Elizabeth Warren, e cila i ka siguruar 25.7 milionë dollarë, ndërsa në vendin e tretë ndodhet Pete Buttigieg me 23.3 milionë dollarë.

Ndryshe nga ta, ish-zëvendëspresidenti amerikan në mandatin e Barack Obama-s, Joe Biden, deri tash i ka mbledhur vetëm 8.9 milionë dollarë për shpenzimet e fushatës.

Kur kanë mbetur edhe disa muaj para fillimit të rundit të parë të garës brenda partisë, kandidatët po hyjnë në një fazë me shpenzime të mëdha. Sasia e fondeve po cilësohet si shumë e rëndësishme për suksesin ose dështimin e mundshëm në fushatë. Kështu, shifra e vogël që është siguruar nga kandidati Biden e vë në pikëpyetje qëndrimin e tij në pozitën e favoritit kryesor.

Përderisa kandidatët e tjerë në listën e gjatë të pjesëmarrësve në garë do të jenë të detyruar të marrin vendime të vështira për shpenzimet gjatë muajve të ardhshëm, senatorët e Vermont-it dhe Massachusetts-it do ta kenë luksin që të bëjnë shpenzime kudo dhe kurdo që ata dëshirojnë.

Shuma e madhe e të hollave që e kanë siguruar do t’ua mundësojë kandidatëve Sanders dhe Warren që të kenë më shumë spote reklamuese, të kundërpërgjigjen më mirë ndaj sulmeve dhe të realizojnë një fushatë më të gjerë në fazën fillestare të saj, shkruan “Associated Press”.

(Kosova Sot Online)