Flet ish spiuni serb në Hagë: Stanisic nuk ishte agjent i CIA, kishte lidhje profesionale me ta

  • 17 October 2019 - 08:54
Flet ish spiuni serb në Hagë: Stanisic nuk ishte agjent i CIA, kishte lidhje profesionale me ta

Ish zyrtari i lartë i Shërbimit të Sigurisë Shtetërore (Sluzba Drzavne Bezbednosti), Vlado Dragicevic, kështu deklaroi sot para gjykatës në Hagë, për ish kreun e dikurshëm të atij shërbimi, Jovica Stanisic

”Mund të betohem se as unë, e as Stanisic nuk ishim agjentë të CIA’s” tha Dragisevic si dëshmitar i mbrojtjes në gjykimin e Stanisic dhe bashkëpunëtorit të tij Frank Simatovic-Frenki, të akuzuar për krime lufte ndaj popullatës jo serbe në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë gjatë periudhës 1991-1995.

Avokati mbrojtës i Stanisicit, Ian Edwards, më parë e kishte pyetur dëshmitarin “A keni qenë ju ndonjëherë agjentë të CIA?”, duke aluduar në dëshminë e djeshme të ish ambasadorit britanik në Serbi, Ivor Roberts, i cili me sugjerimin e prokurorit, konfirmoi se Stanisic ishte ‘agjent i fshehtë’ i CIA’s.

“Mund të betohem se asnjëherë nuk kam nënshkruar asnjë dokument bashkëpunimi me CIA” u përgjigj Dargaicevic, që ishte epror e drejtorisë për bashkëpunim ndërkombëtar në SDB të Serbisë.

I pyetur për natyrën e bashkëpunimit mes Stanisic dhe të tijve me përfaqësuesin e CIA në Beograd, që nga 1992 e mëtej, Dragicevic u përgjigj: “Kjo ishte natyrë ekskluzivisht profesionale. Ishte marrëdhënie e vërtetë profesionale”.

Dragicevic i cili e konfirmoi vet se ishte pjesëmarrës në të gjitha takimet e Stanisic me përfaqësuesin e CIA e saktësoi se kjo ishte marrëdhënie në të cilën Stanisic “paraqitej si përfaqësues i një shërbimi ndaj një tjetër shërbimi” dhe “shkëmbente vetëm të dhëna për të cilat kishte autorizim”.

“Një agjent nuk ka aprovim të tillë, nëse ofron të dhëna vet, për para apo diçka tjetër…Diku e quajnë edhe tradhtar”, tha Dragicevic.

Për bashkëpunimin e Stanisic me CIA, ku ishte edhe vet pjesëmarrës, Dragicevic tha se “bazohej në mirëkuptim”,  e përbëhej në “shkëmbimin e informacionit të leverdishëm për të dy palët”.

Si shembull ai paraqiti se SDB e Serbisë më 1992 kishte dhënë CIA’s “të gjitha të dhënat” e gjendjes politike dhe ushtarake në Republikën e Krahinës Serbe, të cilat ishin të “rëdësishme për implementimin e planit të paqes së Vans”.

“Ishte marrëdhënie e vërtetë profesionale, të cilën e konsideronim se do të sillte vetëm përfitime vendit dhe shërbimit tonë”.

Sipas dëshmitarit, tema e diskutimit në takimin e parë të Stanisic dhe përfaqësuesit të CIA në fillim të vitit 1992 ishte “si të ndikohet tek politikanët”.

“Nuk më kujtohet për të cilët, por Milosevic ishte njëri prej tyre” tha Dragicevic.

Ai përshkroi edhe marrëdhënien e Stanisic dhe Milosevic, ku dëshmitari tha se Milosevic kishte “mosbesim të jashtëzakonshëm ndaj Stanisic. Nuk do ta quaja frikë, por, të themi mosbesim…Shumica e rrethit të ngushtë të Milosevic nuk e donin Stanisic”.Bashkëshortja Mirjana Milosevic haptas shfaqte përbuzjen totale ndaj Stanisic pas kishte “mendim të posaçëm se si gjërat duhej të rridhnin”, e as shefi i SDB së Serbisë nuk pajtohej me të.

Dëshmia e sotme e Dragicevic mbeti e njëjtë me atë të vitit 2011, në gjyqin e parë të Stanisis dhe Simatovic. Në atë dëshmi ai tregoi se kontaktet e Stanisic me CIA i kishte aprovuar Milosevic, të cilin SDB e kishte informuar “për detajet më të rëndësishme të bisedave” por jo edhe për “gjërat profesionale për të cilat presidenti nuk duhej informuar”.

Përfaqësuesin e CIA’s, emri i të cilit nuk u përmend në gjykatë, më së shumti i interesohej për “informacionin e SDB rreth terrenit në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë” si dhe “veprimtaria e Milosevic”, dëshmoi Dragicevic.

SDB kishte “provuar të shpjegoj qasjen e Milosevic” dhe jepte “informacionin që e kërkonte CIA”.

(Kosova Sot Online )