Lutfi Hazirit i tensionon përsëri raportet me Vetëvendosjen – vjen reagimi nga partia e Kurtit

  • 17 October 2019 - 15:44
Lutfi Hazirit i tensionon përsëri raportet me Vetëvendosjen – vjen reagimi nga partia e Kurtit

Derisa LDK e Vetëvendosje janë duke punuar në harmonizim të programeve e tashmë kanë mbajtur një takim në nivel të liderëve, nënkryetarët e Lidhjes Demokratike nuk po e kanë fort problem që drejt partisë që mund të ju bëhet partner në qeverisje të gjuajnë akuza. Të njëjtave sot iu është përgjigjur, Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në kohën kur Isa Mustafa shihej me Albin Kurtin për të diskutuar mundësinë që të shkonin në një koalicion parazgjedhor, këtë skenar të mundshëm e kritikuan ashpër dy nënkryetarët e LDK-së, Lutfi Haziri e Agim Veliu.

Ani pse të dy partitë u dakorduan që të bashkëpunonin pas zgjedhjeve, gjatë tërë fushatës të dy nënkryetarët nuk e patën problem që të përcillnin mesazhe kundër VV-së, që disa herë ishin edhe fyese, si ai i Hazirit me “Mr.Bean”.

Tonet e diskutimit këtyre nuk ju kanë ndryshuar as tani që po diskutohet për koalicionin parazgjedhor.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri i ftuar mbrëmë në emisionin DPT te Fidani ka thënë se para zgjedhjeve ishin dakorduar se kush nga liderët del më i votuari ai do të bëhej kryeministër. I njëjti, pa u ndalur me kaq foli dhe pse dy partitë nuk u dakorduan për një koalicion parazgjedhor.

Haziri tha se kjo ndodhi pasi që VV nuk pati burrni që të rreshtohet pas një zonje për kryeministër.

 “Nuk gjetën burrni me u reshtu pas një zonje për kryeministre”, ka thënë Haziri.

Kësaj deklarate të Hazirit i ka reaguar sot gjatë ditës Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje. Haxhiu ka kërkuar nga Haziri që të ndalojë përdorimin e kësaj gjuhe.

“Ne menjëherë pas 6 tetorit kemi nisur përpjekjet tona për të pasur një bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike, ku kemi formuar dy grupe punuese. Nuk merrem me deklarimet e Lutfi Hazirit, pasi që ai nuk është pjesë e asnjë grupi punues, që është caktuar nga LDK. Për hir të së vërtetës ende nuk ka pasur asnjë takim mes grupeve punues, por ne cdo ditë po angazhohemi që të krijojmë mirëbesim me LDK-në.E ftoj zotërin Haziri që ta ndalojë përdorimin e kësaj gjuhe, sepse tashmë qytetarët e kanë vendosur se cili subjekt ka përkrahje më të madhe.Edhe unë sot e konfirmoj që edhe subjekti jonë, por edhe kandidati ynë, ka dalur me më shumë vota se secila parti tjetër në Kosovë, e secili kandidatë tjerë.Pra, Albin Kurti, në këto zgjedhje ka marrë vota më shumë se secili kandidatë tjerë nga të gjitha partitë politike.Por, edhe po mos të ishte kështu, e drejta kushtetuese, e shpjegon qartë që qeverinë ta formojë subjekti më i madh, qoftë edhe më një votë më shumë”, ka thënë Haxhiu për Gazeta Blic.

Pak ditë më parë me tone të njejta kishte folur edhe nënkryetari i parë i LDK-së, Agim Veliu.

Veliu pati thënë për medie kishte thënë se LDK e VV kanë dallime të mëdha në programe.

Për këtë temë ka shkruar sot edhe analisti Blerim Vela. Vela ka thënë përmes një postimi në rrjetin social Facebook se këto deklarata të cilat i ka dhënë Lutfi Haziri e minojnë pozitën e Vjosa Osmanit.

“Vetëm Vjosa Osmani shpreh vullnetin e LDK dhe votuesve të saj, derisa Vjosa Osmani është në SHBA duke bërë punë të rëndësishme që do të mund të ndihmonte qeverinë e re të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, në Prishtinë, shefi i shtabit Lutfi Haziri jep deklarata ndaj LVV që më së shumti e minojnë pozitën e Vjosa Osmanit… Luta duhet të mësohet që nuk është sherifi kryesor në LDK dhe se gjenerata e re brenda LDK-së tash do t’i merr gjërat në dorë, pasi morrën edhe më së shumti vota nga elektorati i saj”, ka shkruar Vela.

(Kosova Sot Online)