Krimi në drejtësi, Vettingu shpresa e vetme për Kosovën

  • 19 October 2019 - 15:22
Krimi në drejtësi, Vettingu shpresa e vetme për Kosovën

“Mjerisht edhe pas zgjedhjeve të fundit dhe në prag të formimit të Qeverisë së re, të dalë nga votimet e 6 tetorit, shqetëson fakti se si ende në gjyqësorin e Kosovës vijon të bëhet avancimi në pozita, vetëm për të dëgjueshmit e pushtetarëve të inkriminuar dhe nëntokës kriminale”, tha Qarri për “Kosova Sot Online”.

Edhe pse pushtetarët e qeverisjes së deritanishme në ikje e kanë humbur pushtetin, dhe për disa janë vë pritje ata do ta dorëzojnë këtë pushtet tek partitë fituese të zgjedhjeve, ndikimi i tyre të sistemin e drejtësisë, në gjykata dhe prokurori, sipas analistëve politikë do të vazhdojë të jetë i pranishëm edhe për një kohë të gjatë, derisa nuk bëhet ligji Vetting, dhe derisa nuk fillon i njëjti të zbatohet në praktikë.

Kështu tha për “Kosova Sot Online”, analisti Gani Qarri, sipas të cilit, edhe tani në këtë fazë tranzicioni të pushtetit, po vazhdojnë të dirigjohen gjyqtarët nga pushtetarët e inkriminuar në ikje, ku edhe për fatin e lëndëve gjyqësore në procedurë po vendosin ata që kanë interes për t`u refuzuar apo për t`u miratuar ato, duke shpërblyer madje gjyqtarët edhe me gradim nga Gjykata themelore në atë të Apelit, apo nga Gjykata e Apelit në atë Supreme.

Image
Gani Qarri

“Mjerisht edhe pas zgjedhjeve të fundit dhe në prag të formimit të Qeverisë së re, të dalë nga votimet e 6 tetorit, shqetëson fakti se si ende në gjyqësorin e Kosovës vijon të bëhet avancimi në pozita, vetëm për të dëgjueshmit e pushtetarëve të inkriminuar dhe nëntokës kriminale. Madje njëjtë si edhe vite më parë, po vazhdojnë të dirigjohen gjyqtarët nga pushtetarët e inkriminuar të nivelit më të lartë dhe mafio-oligarkët në Kosovë, duke vendosur edhe për fatin e lëndëve gjyqësore në procedurë, për ato lëndë që ata kanë interes për t`u refuzuar apo për t`u miratuar, duke shpërblyer gjyqtarët me gradim nga Gjykata themelore në atë të Apelit, apo nga Gjykata e Apelit në atë Supreme”, tha Qarri për “Kosova Sot Online”.

Sipas analistit Qarri, bashkëpunimi kriminal në mes të pushtetarëve dhe personelit të ndikuar nga politika në Gjykata, është aq i ndërlidhur, sa që për riemërimet e avancuara në pozita të reja, gjykatësit masin vesh edhe nga disa javë para se kjo çështja të diskutohet dhe vendoset në KGJK.

“Për aq më keq, figurat e kriminalizuara me pozita të larta në pushtet, të cilët me kohë kanë infiltruar njerëzit e vet, në sistemin prokurorial dhe atë gjyqësor të Kosovës, jo vetëm se bëjnë kokë më vete avancimin në pozita në gjyqësorin e Kosovës, vetëm për të dëgjueshmit e pushtetarëve të inkriminuar dhe nëntokës kriminale, por edhe u kumtohet lajmi për avancimin e tyre, ende pa u marr as edhe një vendim zyrtar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës”, shtoi Qarri për “Kosova Sot Online”. 

Shpresa e vetme e ndërprerjes së kësaj lidhje të bashkëpunimit kriminal të politikës me gjyqësorin, sipas Qarrit është tek pritjet për bërjen e Ligjit Vetting dhe zbatimin e tij nga qeveria e re në ardhje.

“Ndaj pikërisht për shkak të keqpërdorimit të sistemit të drejtësisë nga politikanët e inkriminuar dhe mafio-oligarkët e vendit, edhe më tej, po vazhdon të sundoj krimi në Kosovë, po vazhdon të mos ketë drejtësi, por vetëm sundim të krimit dhe inkriminim gjithnjë e më të thellë të sistemit të drejtësisë në krim të organizuar, i cili as nuk ka shpresë të shuhet, pa futjen e VETTINGUT të gjithanshëm dhe largimin urgjent të figurave të kriminalizuara nga të gjitha pozitat udhëheqëse, institucionale dhe shtetërore të Kosovës”, përfundoi analisti Qarri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online).