Denoncimi i rëndë nga profesori i njohur: Kjo është skandaloze...

  • 20 October 2019 - 07:21
Denoncimi i rëndë nga profesori i njohur: Kjo është skandaloze...

“Papërgjegjësia morale, objektive e politike e këtyre pushtetarëve, harxhimet e paskrupullta të parasë publike, abuzimet me shantazhime e tenderime dhe mos dhënia e llogarisë para institucioneve përkatëse në vendi tonë, pothuaj se janë tani më të njohura dhe qytetarët pothuaj se me të njëjtat e të ngjashme veprime sikur janë familjarizuar”, tha Smaka për Kosova Sot Online”.

Edhe pse kritikohet vazhdimisht sistemi i drejtësisë kosovare për ndikimin e politikës në drejtësi, si nga organizata mbikëqyrëse vendore edhe ato ndërkombëtare, ekspertët e kësaj fushe konsiderojnë se këto kritika aspak nuk merren në konsideratë nga politika në pushtet, e aq më pak nga gjyqësori i ndikuar dhe i kapur nën tutelën e politikës.

Profesori i njohur i së drejtës, Riza Smaka konsideron se Kosova është një shtet model për mos zbatimin e ligjeve dhe funksionalizimin e sistemit të drejtësisë, pasi edhe gati 12 vjet pas shpalljes së pavarësisë, nuk kemi pavarësi në gjyqësor, por gjykatësit e prokurorët po vazhdojnë të dirigjohen nga pushtetarët e inkriminuar të nivelit të lartë dhe mafio-oligarkët në Kosovë edhe për fatin e lëndëve gjyqësore në procedurë, qoftë për ‘ti miratuar ato apo refuzuar.

“Përderisa vendi ynë është shtet juridik, por larg shtetit të se drejtës ,në të cilin ka akte ligjore të hartuara dobët, nën nivelin e standardeve onomo teknike, të pa sanksionuara përshtatshëm, akte ligjore të pa kompletuara me akte nënligjore ose te mbështetura, por me akte nënligjore poroze e të mangëta e aq me tepër kur ato akte "Dura Lex Sed Lax" në raste jo të pakta, ato zbatohen në mënyrë selektive, prandaj dukuritë negative janë vetvetiu të pa shmangshme dhe të trajtave të ndryshme”, tha Profesor Smaka për “Kosova Sot Online”.

Image
Riza Smka

Prandaj sipas Smakës, edhe pasurimet irracionale të shumë funksionarëve politikë e pushtetarëve, vijnë nga mos zbatimi i ligjeve dhe nga mos funksionimi i gjyqësorit dhe prokurorisë për ndjekjen dhe hetimin e veprimtarisë së tyre.

“Papërgjegjësia morale, objektive e politike e këtyre pushtetarëve, harxhimet e paskrupullta të parasë publike, abuzimet me shantazhime e tenderime dhe mos dhënia e llogarisë para institucioneve përkatëse në vendi tonë, pothuaj se janë tani më të njohura dhe qytetarët pothuaj se me të njëjtat e të ngjashme veprime sikur janë familjarizuar. Në vend të ndarjes dhe të kontrollimeve reciproke, të legjislativit, ekzekutivit e gjyqësorit, apo së pakut të një supremacie të butë të legjislativit mbi ekzekutivin e gjyqësorin, në vendin tonë ekziston relacioni i kundërt ashtu që ekzekutivi e dirigjon legjislativin e në masë të konsideruar edhe gjyqësorin”, shtoi Smaka për “Kosova Sot Online”.

Smaka shton se mos funksionimi i shtetit ligjor në gjykata dhe prokurori tek rastet me të cilat ballafaqohen qytetarët, shërben edhe për raste akoma më të rënda të injorimit të ligjit dhe të Kushtetutës që e bënë politika në pushtet, sikur që ishte demaskimi i kufirit me Malin e Zi.

“Nga shumë shembuj që e ilustrojnë këtë çoroditje të relacioneve reciproke të tri pushteteve qendrore në fjalë është edhe rasti kur Kuvendi me Rezolutën nr. 21- 15 i ka pas dhënë urdhër ekzekutivit për të siguruar demarkimin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi sipas linjës administrative ekzistuese ( Qakorr- Kullë), por ja që ekzekutivi jo që nuk e ka përfillur, por duke interferuar edhe te ish deputetët "e pa dëgjueshëm" në kundërshtim me ligjet dhe në kundërshtim me nenin 70 të Kushtetutës, e ka pas shpërfillur atë rezolutë të natyrës së detyrueshme, dhe e ka ratifikuar "demarkacionin" e dëmshëm për integritetin e vendit tonë për mbi 8000 hektar”, kujton profesor Riza Smaka për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, ky është shembulli më skandaloz i ekzistimit të shtetit vetëm mbi kontura juridike, por që nuk i zbaton ligjet dhe kushtetutën kur është në pyetje integriteti dhe sovraniteti, e të mos flasim për gjyqësorin dhe kontestet e problemet e ndryshme të qytetarëve nëpër gjykata.

“Po të kishte qenë legjislativi kompetent, çfarë kurdoherë duhet të jetë, ekzekutivin e tillë do ta kishte shkarkuar duke e sanksionuar politikisht, moralisht e juridikisht. Ai akt nuk ka ndodhur dot nga se ekzekutivi në masë të konsideruar, deri në këtë aktualitet, dirigjon mbi legjislativin dhe gjyqësorin. Së andejmi dukuri negative e të dëmshme të shumta e të ndryshme në vendin tonë ndodhin e nuk gjykohen as nuk hetohen si duhet sepse kjo është drejtësia e vendit tonë, ky është shtetin juridik që funksionin pa respektimin dhe zbatimin e ligjeve e të Kushtetutës, në vend të shtetit të së drejtës së zbatueshme”, përfundoi Smaka për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)