Ja kush e thotë nga LDK-ja: Limaj në Qeveri nëse kalon pragun

  • 20 tetor 2019 - 17:08
Ja kush e thotë nga LDK-ja: Limaj në Qeveri nëse kalon pragun

Për ta themeluar Qeverinë, zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës janë të hapur për të gjitha partitë, pos, PDK’së dhe Listës Serbe. Këto të dyja kanë vijë të kuqe për të qenë në koalicion me partinë e Isa Mustafës.

Kështu i tha medias, gjatë së dielës, anëtari i Kryesisë së  LDK’së, Haki Rugova. Ky i fundit deklaroi se Lista Serbe e ka vendin në Qeveri vetëm në bazë të kompetencave që ia jep Kushtetuta e Kosovës por jo deternimuese në formimin e Qeverisë.

“Nuk ka nevojë që të bëhet koalicion me Listën Serbe. Ata do ta kenë vendin në qeverisje në bazë të Kushtetutës. Përndryshe koalicionin me ta nuk e preferojë dhe nuk duhet të ketë”, deklaroi Rugova.

Mirëpo ai tutje deklaroi se nëse NISMA e Fatmir Limajt e kalon pragun zgjedhorë, atëherë me të mund të flasin rreth një koalicioni të mundshëm.

“Unë iu besojë koalicioneve. Ato vendosen në baza parimore dhe politikave të mira qeverisëse. Nëse edhe NISMA e kalon pragun, pse jo, nuk ka asnjë kufizim me të. Ne kufizimet i kemi me PDK’në”, thotë anëtari i Kryesisë së LDK’së, Haki Rugova.

Ai i ka komentuar edhe deklaratat e anëtares së Vetëvendosjes, Albulena Haxhiut e cila deklaroi se me LDK’në, gjatë takimeve punuese janë dakorduar që Qeveria e re t’i ketë maksimumi 12 ministri. Por rreth këtyre deklaratave Rugova thotë se nuk është definitiv ky numër. Sipas tij, mund të ketë më shumë apo më pak.

“….ministritë ende nuk janë nda. Nuk ka asgjë finale, krejt janë solucione të ndryshme, qiten në tavolinë e tjerrën deri ta marrin formën e duhur. Është pikëpyetje a do të jenë 12 ministri. Ministritë bëhen sipas nevojave dhe sipas marrëveshjeve”, deklaron Rugova.

Megjithëkëtë, ai është shprehur optimist për një koalicion të frytshëm me Vetëvendosjen e Albin Kurtit.

“Unë po e shohë që bisedimet kanë filluar mirë. Vendimet finale do t’i marrë kryesia e LDK’së dhe Këshilli i Përgjithshëm. Ne ende nuk kemi vendosë asgjë për poste. Nuk kemi qitë asnjë kornizë. Është normale që të bisedojmë rreth programeve qeverisëse e deri tek postet. Por kjo është një fazë më e vonshme, kjo do të vendoset pas certifikimit të rezultateve”, thotë Rugova.

Qeveria Haradinaj është konsideruar si më e madhja që Kosova ka pasur ndonjëherë me 21 ministri dhe afër 80 zëvendësministra kështu duke u bërë edhe struktura më e madhe në Ballkan.

Përveç numrit të madh, Qeveria Haradinaj do të mbahet mend edhe për rritjen më të lartë të pagave për kabinetin e tij qeveritar.

(Kosova Sot Online)