Çfarë pritet të ndodhë me autostradën “Arbën Xhaferi”!

  • 21 tetor 2019 - 18:18
Çfarë pritet të ndodhë me autostradën “Arbën Xhaferi”!

32 milionë euro pritet t’i kushtojnë buxhetit të shtetit dy kyçjet në Autostradën “Arbën Xhaferi”, dhe ndërtimi i mbikalimit në Paldenicë. Ministria e Infrastrukturës tashmë ka paraqitur kërkesë në Ministrinë e Financave për ndarjen e këtyre mjeteve. Vendimi për zgjatjen e afatit të Kontratës me “Bechtel&Enka” ishte marrë vetëm një ditë para se të prehej shiriti i kësaj autostrade, derisa punimet pritet të zgjasin deri në fund të 2020’ës. “Arbën Xhaferi” është lëshuar për qarkullim më 29 maj të këtij viti.

Rreth pesë vite më parë në një ceremoni shtetërore ishte prerë shiriti që shënonte fillimin e punimeve për ndërtimin e autostradës që do të afronte Prishtinën me Shkupin. Ndonëse përurimi i saj u bë më 29 maj të këtij viti, punimet në autostradën “Arbën Xhaferi” do të zgjasin deri në fund të vitit të ardhshëm.

Arsye për këtë është vendimi i Qeverisë së Kosovës për zgjatjen e afatit të Kontratës deri në dhjetor 2020, për punët shtesë në ndërtimin e dy kyçjeve në Ferizaj dhe Viti dhe mbikalimin në Paldenicë.

Punimet në këto projekte pritet që t’i kushtojnë buxhetit me miliona euro.

Në Ministrinë e Financave deklarojnë se ata kanë pranuar kërkesë nga Ministria e Infrastrukturës për ndarjen e këtyre mjeteve.

Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini i ka thënë mediave se Ministria që udhëhiqet nga Pal Lekaj ka paraqitur kërkesë në shumë prej 32 milionë euro për ndërtimin e kyçjeve nga Ferizaj dhe Vitia në autostradën “Arbën Xhaferi”, dhe mbikalimin në Paldenicë.

“Sa i përket pyetjes, Ministria e Infrastrukturës me kërkesa buxhetore për vitin 2020 ka paraqitur kërkesën në shumë prej 32,200,000 €  emër te realizimit të projektit (ndërtimin e kyçjeve nga Ferizaj dhe Vitia në autostradën “Arbën Xhaferi” dhe mbikalimin në Paldenicë ), pjese e projektit  Autostrada Prishtinë – Hani i Elezit”, ka thënë Shahini.

E si duket nëse do të ketë qeveri VV-LDK në krye me Albin Kurti i bie që pikërisht ajo të paguaj këtë shumë për këto kyçje të reja në austostradën Prishtinë –Shkup.

Media ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Infrastrukturës për të marrë informacione se kur ka përfunduar procesi i negocimit me konzorciumin turko-amerikan “Bechtel&Enka”, dhe nëse kjo ka qenë oferta fillestare e tyre, por të njëjtit nuk kanë dhënë shumë detaje.

Vetëm deklarojnë se tashmë kanë caktuar grup negociues me Bechtel&Enkan, të cilët do të përpilojnë raportin i cili i paraprinë finalizimit të procedurave para fillimit të punimeve. 

“Me datë 28.05.2019, Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë Vendim (Nr.10/105) për zgjatjen e afatit të Kontratës me konsorciumin Bechtel Enka,  për ndërtimin e dy kyçjeve shtesë në Autostradën R6 dhe ndërtimin e mbikalimit në fshatin Paldenicë të Hanit të Elezit, si dhe ka autorizuar Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit të negocioj me konsorciumin në fjalë. MIT ka caktuar grupin negociues me Bectel Enka-n të cilët përpilojnë raportin i cili i paraprinë finalizimit të procedurave para fillimit të punimeve”, thuhet në përgjigjet e MI’së drejtuar mediave,

Ndryshe, autostrada që mban emrin e politikanit shqiptar të Maqedonisë së Veriut, Arbën Xhaferi, sipas kontratës fillestare parashihej që t’i kushtonte shtetit rreth 600 milionë euro. Por, gjithçka ndryshoi me fillimin e punimeve.

Për shkak të mosrespektimit të kontratës, kompania amerikano-turke kishte detyruar Qeverinë e Kosovës të paguaj 53.1 milionë euro.

Arsyet ishin për zvarritje të punimeve, si dhe për vonesa në pagesa të mjeteve në të kundërtën kushtëzuan se i ndërpresin punimet në Autostradën “Arbën Xhaferi” për ta dërguar lëndën në Arbitrazhin ndërkombëtar.

Menjëherë pas këtij paralajmërimi, Qeveria Haradinaj mori vendim që ta shlyejë këtë borxh. Kyeministri Ramush Haradinaj pati thënë se po i ndajnë këto para për të mos u përballur me procese gjyqësore.

Ky vendim i të parit të ekzekutivit është vënë nën llupën e organeve të hetuesisë.

Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi kishte konfirmuar se Prokuroria dhe Policia Hetuese janë duke mbledhur të dhëna lidhur me ndarjen e 53 milionë eurove shtesë për këtë kompani.

“Prokuroria, së bashku me Policinë Hetuese, do të mbledhë të dhëna dhe informacione të nevojshme për t’u siguruar se a ka dyshim të arsyeshëm se a është kryer ndonjë vepër penale për të cilën ndjekja ndërmerret sipas detyrës zyrtare“,kishte thënë Lumezi.

Pas më shumë se gjysmë dekade punime, kjo autostradë arriti që të përurohej tek më 29 maj të këtij viti. Në ceremoninë e përurimit morën pjesë krerët e shtetit, përfaqësues të Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe ambasadorë të akredituar.

(Kosova Sot Online)