PD: Rama qeveris me njerëz të shpallur non grata nga Amerika

  • 22 October 2019 - 21:09
PD: Rama qeveris me njerëz të shpallur non grata nga Amerika

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi reagon për videon e sotme të ambasadës amerikane ku nënvizohej se njerëz si Tom Doshi, Vangjush Dako dhe Adriatik Llalla janë shpallur non grata nga ky shtet dhe se paralajmërohej për të tjerë emra.

Bardhi shkruan se SHBA ka shpallur si të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar dy prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Edi Ramës.

“Në vend që të jetë në një linjë me partnerin tonë strategjik, Edi Rama ka graduar Tom Doshin dhe Vangjush Dakon, si mëkëmbësit e tij në Shkodër e Durrës.

Boll më me propagandë! Është koha e së vërtetës! Partnerët tanë e refuzojnë modelin që mban në këmbë Qeverinë e korruptuar të Edi Ramës: vjedhjen e pronës publike, vjedhjen e qytetarëve dhe vjedhjen e zgjedhjeve.

Tani është koha që shqiptarët të shpallin non grata Edi Ramën!

Mirënjohje Shteteve të Bashkuara të Amerikës për betejën e përbashkët për pastrimin e politikës shqiptare nga krimi dhe korrupsioni. Qeverisja e mirë dhe e ndershme, në shërbim të njerëzve të zakonshëm, është vlerë amerikane dhe europiane”, shkruan ai.


(Kosova Sot Online)