Vazhdon greva e mësuesve kroatë, u bashkohen edhe profesorët

  • 23 October 2019 - 15:06
Vazhdon greva e mësuesve kroatë, u bashkohen edhe profesorët

Stafi akademik i universiteteve të Kroacisë i është bashkuar grevës së mësuesve të këtij vendi, e cila filloi para gati dy javëve. Me këtë vendim, profesorët pritet ta shtojnë presionin ndaj qeverisë për rritjen e pagave në këtë sektor.

Mësuesit kroatë po kërkojnë rritje të pagës prej 6 për qind, duke thënë se ndërlikueshmëria e rolit të tyre edukues është e tillë që pagat e tyre duhet të dallohen nga pagat në sektorët e tjerë.

“Ne duam të shfaqim solidaritet me kolegët tanë në shkollat fillore dhe të mesme dhe të luftojmë për disa kategori të stafit tonë, të cilat paguhen pak”, tha Vilim Biliq nga Union ii Pavarur i Shkencës dhe Shkollimit të Lartë.

Përfaqësuesi i kësaj sindikate tha se universitetet do të mbajnë grevë njëditore të enjten, ndërsa një gjë të tillë do ta bëjnë çdo javë deri në plotësimin e kërkesave të grevistëve.

Mësuesit thanë se nuk e kanë ndër mend t’i japin fund grevës pa u plotësuar kërkesat e tyre. Kjo grevë është e organizuar në atë mënyrë që në disa ditë, shkollat janë në grevë në tërë vendin, ndërsa në disa ditë të tjera, grevë mbajnë vetëm shkollat e disa rajoneve.

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ofroi rritje pagash prej 6 për qind për të gjithë punëtorët e sektorit publik nga viti i ardhshëm, por sindikalistët thanë se ky premtim nuk e plotëson qëllimin e tyre, shkruan “Reuters”.

(Kosova Sot Online)