Ekspertiza për Deharin, shpërthen konflikti ndërmjet Prokurorisë dhe Përkthyesit

  • 25 October 2019 - 18:57
Ekspertiza për Deharin, shpërthen konflikti ndërmjet Prokurorisë dhe Përkthyesit

Prokuroria Themelore në Prizren përmes një komunikate për media ka reaguar ndaj përkthyesit të ekspertizës së Institutit zviceran për rastin e Astrit Deharit. Ismail Ismaili përkthyesi i raportit ka thënë se faqja me konkluzione të raportit i është dërguar pesë minuta para orës 10:00, kur familja Dehari është dashur ta marrë raportin, kurse sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, pretendimet e përkthyesit të raportit të ekspertizës janë të pavërteta.

Një konflikt ka shpërthyer ndërmjet Prokurorisë së Prizrenit dhe Ismail Ismailit, i cili përktheu ekspertizën e Astrit Deharit që erdhi para pak ditësh nga Zvicra. Ismaili i akuzua gjerësisht për përkthim të keq të materialit veçmas konkluzioneve që ranë në sy më së shumti pasi aty konstatohej se Astrit Dehari nuk ka kryer vetëvrasje. 

Përkthyesi i autorizuar Ismail Ismaili ka deklaruar se faqja e konkluzioneve i është dhënë pesë minuta para orës 10:00 kur edhe familja Dehari ka qenë në Prokurori për të marrë raportin dhe se kjo është arsyeja pse përkthimi ka dalë keq.

“Faqja e konkluzioneve që ka qenë në gjuhen frënge nuk më është dorëzuar bashkë me pjesën tjetër të raportit. Kjo faqe më është dhënë pesë minuta para orës 10:00, kohë kjo kur ka qenë takimi me familjen e Astrit Deharit. Përmes viberit me kanë dërgu”, ka thënë Ismaili.

Ismaili ka thënë se mënyra se si ia kanë dërguar raportin për ta përkthyer nuk ka qenë aspak serioze. 

Ai thotë se pjesa e konkluzioneve ku shkruhet se vetëvrasja e Deharit është pak e besueshme fillimisht nuk iu është dërguar fare.

“Me thanë e ke harru, por unë ju thash se kam pasë kurrë. Thash aty e kam nënshkruar nga dy vetë, këtu janë tre”, ka thënë Ismaili.

Por, Prokuroria Themelore  e Prizrenit e ka një version tjëtër. Në një reagim dërguar mediave të premten në mbrëmje  ka thënë se përkthyesit i është dhënë në përkthim i gjithë dokumentacioni i ardhur nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës.

“Për hir të informimit të drejtë e të saktë të opinionit, përkthyesi ka pranuar raportin e ndarë në dy pjesë. Pas marrjes së raportit të përkthyer në gjuhen shqipe nga përkthyesi, Prokuroria ka vërejtur se faqja 14 në të cilën kanë qenë të përfshira konkluzionet nuk ka qenë e përkthyer në gjuhen shqipe”, thuhet në reagimin e Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

“Faqja e parafundit nr.13 përmban konkluzione me nënshkrimin e dy autorëve, ndërsa faqja e fundit nr.14 përmban konkluzione nga dy raportet e nënshkruar nga tre autorë, dhe ne besojmë se përkthyesi është vënë në lajthim nga faqja e 13 duke menduar se aty përfundon raporti. Ndërsa, edhe vet përkthyesi ka theksuar se ka pranuar raportin prej 14 faqesh. Faqja e 14 e raportit ka munguar në përkthim në gjuhën shqipe dhe me të vërejtur këtë fakt Prokuroria ka kërkuar nga përkthyesi që menjëherë të përkthehet edhe faqja e 14 në mënyrë që të kompletohet raporti dhe i njëjti ti dorëzohet në të dy gjuhët familjes”.

Për të gjitha këto Prokuroria thotë se i posedon të gjitha dëshmitë se përkthyesi e ka pranuar tërë materialin e kompletuar së bashku me konkluzionet të cilat kanë qenë në faqen 14.

Prokuroria Themelore në Prizren më tej “bën thirrje që të mos manipulohet opinioni, si dhe të mos thuhen gjëra të pavërteta dhe tendencioze të cilat mund të ndikojnë negativisht në rastin në fjalë”.

(Kosova Sot Online)