Tre civilë të vrarë në kufirin mes Afganistanit e Pakistanit

  • 28 October 2019 - 14:04
Tre civilë të vrarë në kufirin mes Afganistanit e Pakistanit

Zyrtarët afganë njoftuan se forcat afgane dhe pakistaneze të sigurisë janë përleshur me të shtëna mes vete në kufirin e kontestuar mes dy shteteve, duke i lënë të vrarë së paku tre civilë.

Këta zyrtarë thanë se të shtënat shpërthyen të dielën në provincën lindore afgane të Kunarit dhe vazhduan deri në mëngjesin e së hënës.

Sher Zamin Khan, anëtar i këshillit provincial të Kunarit, tha se luftimet filluan kur forcat pakistaneze u përpoqën ta ndërtojnë një kabinë ushtarake përgjatë distriktit kufitar të Narit. Ai shtoi se në këtë incident u vranë tri gra afgane dhe tre persona të tjerë u plagosën.

Abdul Ghani Musamem, zëdhënës i guvernatorit provincial, tha se forcat pakistaneze sulmuan me mortaja dhe raketa përgjatë kufirit. Në anën tjetër, Pakistani nuk  ka reaguar ndaj këtyre raportimeve.

Këto dy vende e kanë kufi të përbashkët prej 2500 kilometrash. Pakistani e vlerëson atë si kufi ndërkombëtar, ndërsa Afganistani e kundërshton atë.

Në vitin 2017, Pakistani kishte filluar të ndërtojë rrethojë përgjatë kufirit, duke thënë se kjo po bëhet për ta përmirësuar sigurinë, ndonëse ky veprim u dënua nga Afganistani, shkruan “Free Europe”.

(Kosova Sot Online)