Kampet e refugjatëve në Greqi “në prag të katastrofës”

  • 01 November 2019 - 14:34
Kampet e refugjatëve në Greqi “në prag të katastrofës”

Mijëra njerëz që jetojnë në kampe “të tmerrshme” refugjatësh në dy ishuj grekë “janë në prag të katastrofës”, paralajmëroi komisionarja e Këshillit Evropian për të Drejta të Njeriut, Dunja Mijatoviq.

Ajo tha se situata në ishujt e Egjeut, ku ndodhen rreth 36,000 azilkërkues, është “shpërthyese”.

“Masa urgjente janë të nevojshme për të adresuar kushtet dëshpëruese, në të cilat jetojnë mijëra qenie njerëzore”, tha Mijatoviq, pasi vizitoi ishujt Lesbos dhe Samos.

Ajo tha se kampet atje janë “të mbingarkuara” dhe se njerëzit “duhet të radhiten me orë të tëra për të marrë ushqim dhe për të shkuar në banjë”.

Disa orë pas këtyre komenteve, Parlamenti i Greqisë miratoi një ligj për të përshpejtuar dëbimet.

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, tha se refugjatët do të mbrohen, porse dyert e Greqisë nuk do të jenë të hapura për të gjithë.

Opozita e krahut të majtë e kritikoi ligjin, ndërsa disa grupe humanitare, përfshirë Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, paralajmëruan se ligji mund të kufizojë mbrojtjen për azilkërkuesit.

Greqia, së bashku me Italinë, janë ndër destinacionet kryesore për mijëra njerëz që ikin nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore dhe synojnë të arrijnë Evropën përmes detit.

Mitsotakis, i cili e mori detyrën në korrik, ka një qëndrim më të ashpër kundër migrantëve dhe azilkërkuesve, sesa paraardhësi i tij i krahut të majtë, Alexis Tsipras.

(Kosova Sot Online)