Vjen kërkesa: Ja çfarë duhet të bëjnë urgjentisht Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

  • 05 November 2019 - 07:57
Vjen kërkesa: Ja çfarë duhet të bëjnë urgjentisht Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

“Albini dhe Vjosa urgjentisht dhe domosdoshmërish duhet të marrin përgjegjësinë dhe nismën për VETTING-un, pasi po dështuan edhe ata për VETTING-un atëherë shpresat e shqiptarëve do të marrin akoma një goditje të rëndë. Vota popullore në Kosove ia bëri ndëshkimin, pra ia bëri VETTING-un politikës sepse i çmontoi politikanët dhe ato parti nga pushteti që kishin kapur shtetin , dhe tani i takon politikes së VV-LDK që ta miratojnë VETTING-un”, tha Skënder Kapiti për “Kosova Sot Online”.

Krimi i organizuar dhe korrupsioni, janë faktorët kryesor që po e rrezikojnë ta shkatërrojnë shtetin e ri të Kosovës.

Sipas analistëve politikë, krimi i organizuar dhe korrupsioni po funksionon pa asnjë problem, në të gjitha institucionet e shtetit në Kosovë, nga niveli lokal e deri te ai qendror qeveritar. Këtij fenomeni po i ndihmon, edhe politizimi i skajshëm dhe inkriminimi i të gjitha institucioneve në Kosovë.

Për ta pastruar këtë gjendje të futjes së thellë të krimit në institucionet e shtetit, sipas ekspertit të fushës së drejtësisë, Skënder Kapiti duhet të fillojë një hetim në shkallë të gjerë në të gjitha institucionet shtetërore të Kosovës, pasi që foletë e krimit dhe korrupsionit janë pikërisht në këto institucione të instrumentalizuara nga krimi i organizuar.

Image
Skender Kaipiti

“Këtij procesi, duhet ti paraprij një VETTING i thellë në drejtësi, por edhe në politikë, sepse pa pastrimin e të dyja këtyre fushave nuk ka shans që ne Kosovë të ketë sundim të ligjit , që do t`ia këpuste kokën krimit të organizuar dhe korrupsionit në të gjitha institucionet e shtetit, por sidomos në sistemin e (pa)drejtësisë në Kosovën e nëpërkëmbur dhe të kapur nga Krimi. Duhet urgjentisht në Kosovë Reforma në Drejtësi, VETTING-u. Sa më shumë që të vonohet ndërtimi i shtetit ligjor dhe demokratik, jo vetëm që rritet e perfeksionohet, por edhe shtrihet e fuqizohet mafio-oligarkia që ka kapur shtetin, por ndodh edhe më e keqja, dhe më e dëmshmja kombëtare, që është infektim i shoqërisë me krimin, korrupsionin dhe vjedhjen, pra prishet shoqëria”, tha Kapiti për “Kosova Sot Online”.

Sipas Kapitit, kur politika, qeverisja dhe gjyqësori janë shembullore në mos zbatimin e ligjit, kur ato janë të korruptuara dhe të kriminalizuara, kur institucionet më të larta të shtetit kapen nga krimi dhe nga korrupsioni i një grupi oligarko-mafiozesh, atëherë kjo kulturë antishtet, antiligj, kjo kulturë krimi, hajnie e korrupsioni bëhet shembull dhe normalitet si kulturë qytetare.

“Është urgjencë kombëtare në Kosovë VETTING-u, pasi vonesa do ta bënte të mundur atë që realisht ka ndodhur në Shqipëri, ku për 30 vite degradoi aq rëndë sistemi i drejtësisë, sa që pavarësisht se ka filluar të funksionoje VETTING-u, vështirësitë e zbatimit të tij janë akoma shumë të mëdha, kjo për arsye se prej krimit ,korrupsionit dhe të këqijave demokratike është paralizuar shoqëria”, deklaroi analisti Skënder Kapiti për “Kosova Sot Online”.

“Kur krimi dhe korrupsioni, vjedhja dhe anti ligji e antishteti kapin shtetin,, atëherë shoqërinë e kap ankthi, paniku, frika dhe psikoza e asaj që të ikim se ky vend nuk bëhet. Dhe këtë jua ka bërë shqiptareve edhe regjimi i Edi Ramës në Shqipëri, prandaj Kosova duhet të merr shembull që të mos e lejon një gjë të tillë. Albini dhe Vjosa urgjentisht dhe domosdoshmërish duhet të marrin përgjegjësinë dhe nismën për VETTING-un, pasi po dështuan edhe ata për VETTING-un atëherë shpresat e shqiptarëve do të marrin akoma një goditje të rëndë. Vota popullore në Kosove ia bëri ndëshkimin, pra ia bëri VETTING-un politikës sepse i çmontoi politikanët dhe ato parti nga pushteti që kishin kapur shtetin , dhe tani i takon politikes së VV-LDK që ta miratojnë VETTING-un”, përfundoi Skënder Kapiti për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)