‘Zyra Shtetërore e Hetimit’, vjen kritika e ashpër për VV-në dhe LDK-në

  • 06 November 2019 - 07:37
‘Zyra Shtetërore e Hetimit’, vjen kritika e ashpër për VV-në dhe LDK-në

“Mendoj që në prioritet të forcimit të sundimit të ligjit, të vendosjes së rendit dhe rregullit në sistemin e drejtësisë së Kosovës, edhe në prokurori edhe në gjykata, në polici e kudo në të gjitha shtyllat e institucioneve të sigurisë, duhet të zbatohet ligji Veting për pastrim dhe verifikim. Nuk ka nevojë për dyfishim të institucioneve ekzistuese, për zyre të hetimit të motivuar në këtë mënyrë”, tha Burjani për “Kosova Sot Online”.

Analistët politikë e kanë vlerësuar dhe analizuar me tone paksa kritike takimin e partnerëve për koalicionin e ri qeverisës, LVV dhe LDK, në të cilin është diskutuar dhe vendosur që për ta vënë në funksion më efikas sistemin e drejtësisë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, janë pajtuar që të krijohet edhe Zyra Shtetërore e Hetimit, që sipas tyre do t’i ketë disa komponentë specifike të qasjes në luftën kundër krimit të organizuar.

Njohësi i fushës së të drejtës, Blerim Burjani ka thënë për “Kosova sot Online” se çdo akordim për të zbatuar ligjet në fuqi të cilat nuk janë zbatuar deri më tani, është një qasje pozitive që duhet përshëndetur, por nuk është në funksion të kësaj nëse tani shkohet me shpikjen e dikastereve të reja, sikur që është përmendur Zyra Shtetërore e Hetimit.

Image
Blerim Burjani

“Sepse kjo zyrë mundë të ketë karakter dhe qëllim politik. Në vend të diskutimeve “të mençura politike” partnerët e qeverisjes së ardhshme të akordohen vetëm edhe për ligjin Veting, që të hartohet dhe fillojë të zbatohet me prioritet, ngase korpusi i ligjeve të tjera në drejtësi është i mjaftueshëm nëse ato do të ketë vullnet politik për tu zbatuar, nëse politika i jep mbështetje sistemit të drejtësisë. Mendoj që në prioritet të forcimit të sundimit të ligjit, të vendosjes së rendit dhe rregullit në sistemin e drejtësisë së Kosovës, edhe në prokurori edhe në gjykata, në polici e kudo në të gjitha shtyllat e institucioneve të sigurisë, duhet të zbatohet ligji Veting për pastrim dhe verifikim. Nuk ka nevojë për dyfishim të institucioneve ekzistuese, për zyre të hetimit të motivuar në këtë mënyrë. Kosova ka krijuar të gjitha institucionet që duhet ta zbatojnë dhe mbikëqyrin zbatimin e ligjit, ka kapacitete të mjaftueshme ligj zbatuese, e ka Prokurorinë Speciale për të hetuar rastet e krimeve të rënda, dhe kjo është e mjaftueshme. Pra mjafton kjo prokurori që të ketë prokuror të vendosur për ta kryer detyrën e tyre, të pa ndikuar nga askush përveç përcaktimit për zbatimin Professional të ligjit. Pra duhet të ketë numër të mjaftueshëm dhe të ketë kapacitete profesionale të rëndësishme për ta kryer si duhet detyrën”, tha Burjani për “Kosova Sot Online”.

Sipas Burjanit, në vend të Zyrës Shtetërore të Hetimit, duhet të aftësohet dhe profilizohet policia hetimore, për të mos dyfishuar kështu institucionet e hetimit dhe zbatimit të ligjit për interesa politike.

“Mjafton që të ketë njësi të veçantë policore të hetimit e që është më lehtë të formohet në kuadër të policisë së Kosovë, për të iu shmangur atyre praktikave të mëhershme të shpikjes së do Task Forcave që u treguan krejtësisht të pa suksesshme. Pra në këtë hallk duhet të forcohet vetëm Policia dhe Prokuroria Speciale, të mirë përgatitet njësiti i specializuar për intervenim, për rastet e rënda të krimit dhe korrupsionit, e që në këtë aspekt duhet të bashkëpunohet pa tjetër edhe AKI-në, institucion I hetimit dhe zbulimit që paraprakisht mundë të ofron informata për lëvizjet e krimit, mundë të ofroj shërbime të konsiderueshme në luftën kundër formave kë të rrezikshme të krimit e korrupsionit, e deri tek ato më të lehtat që janë bërë praktikë në jetën e këtyre institucioneve të kapura nga politika e inkriminuar, punësimet familjare dhe partiakë”, përfundoi profesor, Blerim Burjani për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)