Lajmi i fundit: Kadri Veseli merr ftesë nga Gjykata Speciale

  • 07 November 2019 - 15:25
Lajmi i fundit: Kadri Veseli merr ftesë nga Gjykata Speciale

Kryetari i PDK-së Kadi Veseli ka njoftuar se ka marrë ftesë të dhomave të specializuara.

Veseli në konferencën për media, tha se më 4 dhjetor do të udhëtojë për në Hagë.

“Ashtu siç jam zotuar se në momentin që do ta kisha një ftesë të tillë unë do ta bëja publike, gjenerata ime si gjithë gjeneratat tjera ka përjetuar shtypjen e rëndë të vendit tonë, ne nuk jemi pajtuar me atë gjendje dhe unë jam krenar që iu jam përgjigjur thirrjes së vendit”, ka thënë ai.

Veseli ka thënë se do të jap përgjegjësi të plotë për të gjitha angazhimet e tij në kohë të luftës.

”Edhe ky proces duhet të ketë epilog, duke u bazuar në të vërtetën, faktet e drejtësinë, dhe që nuk e dëmton shtetin e Kosovës në pafundësi. Jam i bindur se edhe kjo Gjykatë do ta vërtetojë luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe që do t’i ndalë goditjet ndaj të vërtetës së popullit tonë dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Unë do t’i përgjigjem kësaj ftese, më 4 dhjetor”, tha ai.

Fjalimi i plotë i Kadri Veselit:

Përshëndetje të gjithëve!

Si një nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, unë sot kam pranuar ftesë nga Dhomat e Specializuara, për t’u intervistuar më 4 dhjetor në Hagë.

Ashtu siç jam zotuar, se në momentin që do ta kisha një ftesë të tillë, unë do ta bëja publike.

Gjenerata ime, si shumë gjenerata të tjera, ka përjetuar shtypjen e rëndë të kombit tonë.

Ne nuk jemi pajtuar me atë gjendje, dhe unë jam krenar që i jam përgjigjur thirrjes së vendit për lirinë e kombit.

Gjithë jetën kam qenë i angazhuar për të mirën e Kosovës dhe këtë e kam bërë tërësisht në baza vullnetare dhe me përkushtimin më të lartë.

E kam nisur si fëmijë, si nxënës i shkollës fillore në Mitrovicë, me demonstratat e prillit të vitit 1981, si pjesëmarrës, e pastaj në shumicën prej tyre edhe si organizator dhe drejtues.

Nga mesi i viteve ’80, unë kam hyrë me ideal në organizatat patriotike, anti-jugosllave, për ta kundërshtuar robërinë dhe për të punuar për lirinë.

Epoka e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – është pjesa më krenare e jetës sime.

Kam qenë i bekuar që isha një ndër ideatorët dhe themeluesit e saj, luftëtar i lirisë deri në çlirimin e vendit.

Nga prilli i vitit 1999, deri në qershor të vitit 2008, kam udhëhequr Shërbimin Informativ të Kosovës.

Të gjitha këto angazhime i kam bartur me nder dhe përgjegjësi të plotë, e me krenari të jashtëzakonshme.

Të nderuar qytetarë,

Përpjekjet e kombit tonë për liri – kanë qenë jeta jonë.

Të gjithë së bashku arritëm lirinë dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës është simboli i saj.

Por, duhet pranuar një fakt, lufta e drejtë e popullit tonë për liri ka qenë e sulmuar vazhdimisht.

Që nga paslufta, ky është procesi i pestë i drejtësisë – të cilës i nënshtrohet kjo luftë.

Duke filluar nga UNMIK-u, e për të vazhduar me Gjykatën e Hagës, EULEX-in, drejtësinë vendore, dhe tani me Gjykatën Speciale.

Nuk besoj që në historinë e lëvizjeve çlirimtare të ketë pasur një shembull të tillë.

Edhe ky proces duhet të ketë epilog, duke u bazuar në të vërtetën, faktet e drejtësinë, dhe që nuk e dëmton shtetin e Kosovës në pafundësi.

Jam i bindur se edhe kjo Gjykatë do ta vërtetojë luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe që do t’i ndalë goditjet ndaj të vërtetës së popullit tonë dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

(Kosova Sot Online)