Pas turpërimit, paralajmërohet tronditja e radhës për PSD-në dhe Devollët

  • 08 November 2019 - 15:07
Pas turpërimit, paralajmërohet tronditja e radhës për PSD-në dhe Devollët

“Dorëheqja e Dardan Sejdiut nga strukturat udhëheqëse të PSD-së, si gjoja marrje e përgjegjësisë për humbjen ne zgjedhje, do të pasohet edhe nga të tjerët, dhe përpos akomodimit të disave në Komunën e Prishtinës ku udhëheqin me pushtetin lokal, është akoma enigmatike se në ç’drejtim do të shkojnë të tjerët, për faktin se mandati i tyre në qeverisjen e Prishtinës nuk është më shumë se 2 vite të mbetura”, tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

Pasi dështuan në zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kuvendin e Kosovës, struktura drejtuese e PSD-së ka filluar të dekompozohet dhe të kërkojë strehë për të zhvatur edhe ndonjë ditë në Komunën e Prishtinës, komunë të cilën e udhëheq Shpend Ahmeti me vetëm 1698 vota!

Kështu ka vepruar Dardan Sejdiu, ish shef i grupit parlamentar të PSD-së, i cili ka bërë të ditur se gjoja ka dhënë dorëheqje nga të gjitha strukturat e PSD-së, kinse për përgjegjësinë për humbjen në zgjedhjet e 6 tetorit, për tu kthyer zyrtarisht aty ku ka qenë, pra në Komunën e Prishtinës. 

E lidhur me këtë, analisti politik, Nexhat Haziri duke e komentuar këtë lëvizje të fundit, mendon se tani e gjithë struktura e PSD-së do të provojnë që të zbarkojnë në Komunë, sepse aty ka mbetur mundësia e vetme për të mbijetuar edhe ndonjë ditë nga zhvatja dhe abuzimi, pas debaklit të madh që pësuan në zgjedhje.

Image
Nexhat Haziri

“PSD-ja, pas debaklit të pësuar nga zgjedhjet e 6 tetorit, do të vazhdoj ashtu siç ishte,pra parti e Kaqusha Jasharit, ashti si ishte para se të tentonin për ta “rinovuar” grupi i “Devollistëve” që përbëhej nga ish -12 deputetët e dalë nga LVV-ja në legjislaturën e kaluar. Dorëheqja e Dardan Sejdiut nga strukturat udhëheqëse të PSD-së, si gjoja marrje e përgjegjësisë për humbjen ne zgjedhje, do të pasohet edhe nga të tjerët, dhe përpos akomodimit të disave në Komunën e Prishtinës ku udhëheqin me pushtetin lokal, është akoma enigmatike se në ç’drejtim do të shkojnë të tjerët, për faktin se mandati i tyre në qeverisjen e Prishtinës nuk është më shumë se 2 vite të mbetura”, tha Nexhat Haziri për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, fillimi i rrënimit të kupolës së krimit të organizuar, oligarkisë së Devollëve, do të ketë ndikim shkatërrues përfundimtar edhe tek grupi i mbetur i PSD-së, sepse qeveria në ardhje me siguri që do të vihet në ndjekje të këtyre rrjeteve të krimit të organizuar. 

“Goditja e oligarkëve “Devolli” natyrisht se do të ketë impakt edhe të grupi i PSD-së, dhe po ashtu edhe në pushtetin komunal, ku do t’iu ngushtohet fushëveprimi I bizneseve dhe veprimtarive të tjera antiligjore nga të cilat kanë përfituar, qoftë me anë të dhënies së leje për ndërtim në sektorin e ndërtimtarisë, qoftë në dhënien në shfrytëzim dhe privatizim të pronës shoqërore që është nën kompetencat e pushtetit lokal. Lufta kundër krimit të organizuar nuk do të ketë sukses, nëse kjo ka për qëllim goditjen vetëm në nivel qendror, e jo edhe në atë lokal, të cilat sipas tij kanë funksionuar bashkë dhe në harmoni të plotë përmes oligarkëve që e kanë përgatitur terrenin për këtë bashkëpunim të të dyja niveleve të pushtetit në korrupsion dhe krim të organizuar”, përfundoi Haziri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)