Ia mori djalin dhe vajzën në Siri dhe iu bashkua ISIS-it, gruaja iu vra në sulm ajror – historia e amerikanit që tash e katër vite kërkon fëmijët e tij

  • 09 November 2019 - 07:57
Ia mori djalin dhe vajzën në Siri dhe iu bashkua ISIS-it, gruaja iu vra në sulm ajror – historia e amerikanit që tash e katër vite kërkon fëmijët e tij

Tërheqja e trupave amerikane nga Siria pa dyshim se është lajm i keq për Bashirul Shikde, 38-vjeç, të cilit i është krijuar përshtypja sikur SHBA-të kanë braktisur fëmijët e tij dhe i ka lënë në mëshirën e pjesëtarëve të organizatës terroriste e njohur si “Shteti Islamik”, raporton CNN.

Shikde tash e katër vite e gjysmë është duke i kërkuar fëmijët e tij, madje ka bashkëpunuar ngushtë me agjencitë shtetërore amerikane dhe forcat kurde, bile ka shkuar edhe vetë në Lindjen e Mesme që ta kërkojë djalin dhe vajzën.

Ky baba ka deklaruar për CNN se ndjehet i tradhtuar pas vendimit të presidentit amerikan Donald Trump, që dha urdhër të tërhiqen trupat amerikane nga Siria.

Ai vazhdimisht pyet tani pas tërheqjes së trupave amerikane, nëse do të qëndrojnë agjencitë që do të kujdesen për shtetasit amerikanë, ku në mesin e tyre janë edhe fëmijët e tij për të cilët vazhdon të besoj se gjenden në atë rajon.

“E kam përshtypjen se SHBA-ve nuk i bëhet vonë. Kjo është periudha më e vështirë në jetën time”, ka deklaruar Shikde për CNN.

Gjatë kohës kur ai kishte shkuar në haxh në mars të vitit 2015, gruaja e tij kishte marrë fëmijët e tyre Yusufin dhe Zahran nga shtëpia që e kanë në Miami, dhe iu kishte bashkuar militantëve të ISIS-it.

Yusufi asokohe ishte vetëm 4-vjeçar, kurse Zahra nëntë muajshe. Që të dy kanë lindur në SHBA, derisa Shikde është shtetas amerikan me prejardhje nga Bangladeshi.

“Gruaja ime Rashida Sumiya ishte radikalizuar dhe kështu kishte vendosur t’i bashkohet ISIS-it në Siri”, ka deklaruar ai.

Në fillim ajo i kishte dërguar fotografi të djalit dhe vajzës të shkrepura në qytetin Raqqa, “foleja” e militantëve të ISIS-it. E fotografitë tjera që ia kishte dërguar më vonë, shihet Zahra e veshur me të zeza dhe kokën e mbuluar me shami.

Në vitin 2016, Shikde kishte pranuar një dokument përmes mesazhit (sms) në të cilin thuhej se gruaja e tij është ndarë nga ai, pasi kishte refuzuar t’i bashkohet asaj në ISIS. Shpejtë e kuptoi se gruaja e tij ishte martuar me një militant të ISIS-it, me të cilin solli në jetë një vajzë.

(Kosova Sot Online)