Profesori ndërkombëtar flet për takimin e Ramës me Zaevin dhe Vuçiqin, alarmon rëndë Kosovën

  • 10 November 2019 - 09:51
Profesori ndërkombëtar flet për takimin e Ramës me Zaevin dhe Vuçiqin, alarmon rëndë Kosovën

Analisti, Enver Bytyçi e kundërshton hapur nismën për minishengenin ballkanik.

I ftuar në RTV Ora, ai shprehet se nisma nuk i ka rrënjët as në BE dhe as SHBA, por është një tentativë e Beogradit për të rikthyer ish-Jugosllavinë.

Në këtë drejtim, ai është tejet kritik ndaj Ramës.

Bytyçi: Nisma e Shengenit Ballkanik nuk i ka rrënjët as në BE dhe as në ShBA. Lë jashtë tre shtete. Ftesa Ministrit të Jashtëm të Kosovës i ka shkuar sot, është mekanizëm i qëllimshëm, në politikë asgjë nuk ndodh rastësisht.

Pse qeveria e shqiptare dhe kryeministri i Shqipërisë duhet të rehabilitojë Serbinë në opinionin ndërkombëtar dhe duhet ti japë akses Serbisë që ajo të marrë përsëri lidershipin në rajon ndërkohë që është krejt e panevojshme.

Cila është shtysa që detyron qeverinë shqiptare dhe kryeministrin tonë të ndihmojë Beogradin që të paraqitet përpara botës si një shtet dhe vend shumë human, bashkëpunues, integrues me të cilin nuk mund të rivihen në dukje të gjithë ato luftra që kreu para dy dekadave.

Nuk i takon Shqipërisë të luajë këtë rol në Ballkan, për shkak se Kosova është viktima e fundit dhe viktima më e madhe e Serbisë  gjatë luftrave që u bënë në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të kaluar.

Asnjë politikani në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi nuk i takon ti bëjë lëshime kaq serioze Serbisë pa u zgjidh konflikti shqiptaro-serb, pa kërkuar ndjesë Serbia për krimet që ka bërë në Kosovë.

I pyetur nëse një marrëveshje e tillë shkon edhe në ndihmë të dialogut Kosovë-Serbi, ai ndan këtë opinion. 

Bytyçi: Përkundrazi kjo thellon konfliktin, përjashtimi i tre shteteve të tjera, veçanërisht i Kosovës. Bosnje Herecegovina dhe Mali i Zi janë përjashtuar nga minishengeni Ballkanik për shkak të Kosovës sepse Beogradi nuk ka qenë kurrë dakord që Kosova të ulet në një tryezë e barabartë me Serbinë dhe pse në këtë iniciativë Beogradi është lidership i saj.

Pavarësisht ftesës publike të Vuçiç, Bytyçi thotë se Kosova nuk u ftua me të drejta të barabarta.

Bytyçi: Në mënyrë kategorike nuk është ftuar me të drejta të barabarta. Samiti është në Ohër dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut për shkak të mikpritjes do të detyrohet të mbajë një ekuilibër në qëndrimin e  tij por jam i sigurt se në të ardhmen do të devijojë nga kjo nismë e minishengenit. Minishengeni ballkanik i iniciuar nga Beogradi është përpjekje për të rikthyer vendimet e Versajës në Ballkan, përpjekje e Serbisë për të rikrijuar në Jugosllavi të re. Shtohet presioni i ndonjë fuqie të madhe e interesuar për të.Në të kaluarën në Europë është mbështetur nga Franca dhe Rusia.

E ndërsa nisma është mbështetur nga SHBA, ai thotë se "asnjë fuqi e botës nuk do të shprehej kundër një iniciative bashkëpunimi. Por ne kemi një realitet në të cilin është përjashtuar politikisht Kosova. Kemi një konflikt të pazgjidhur mes Kosovës dhe Serbisë për faj të Serbisë dhe kemi një qeveri shqiptare dhe një kryeministër shqiptar të papërgjegjshëm që bëhet palë me Beogradin në këto aventura dhe në këto dhimbje që i shtohen Kosovës".

Analisti thotë se lëvizja e lirë e mallrave mes Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi ka ndodhur edhe pa këtë shoë.

Bytyçi: Lëvizja e lirë është realizuar mes Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi pa minishengen.Lëvizja e lirë e njerëzve, teknikisht pa një shoë të tillë mund të krijohen mundësi për lëvizje të lirë të mallrave dhe unifikim të ligjeve të secilit shtet.Kjo mund të bëhet me marrëveshje dypalëshe dhe shumëpalëshe. Minishengeni i ndihmon idese së Macron që kërkon që në Ballkan të krijojë një zonë të lidhur me BE në modelin e Norvegjisë.

Ky model e çon Shqipërinë në gjeopolitikën lindore, e asocon me Serbinë. Ideja e Macron është e rrezikshme, do lejojë ambiciet ruse të jenë prezent në Ballkan.Shkakton probleme shumë të mëdha nëse do të realizohet. Shpresoj që vendet ballkanike ta kundërshtojnë. Zaev e ka kundërshtuar, qeveria shqiptare ende nuk është shprehur. Nëse Macron thotë se modeli i Ballkanit Perëndimor do të jetë modeli norvegjez të gjitha ato çfarë kanë ndodhur me Norvegjinë do të ndodhin dhe në Ballkanin Perëndimor. Qeveria shqiptare duhet të bëjë llogari të qarta në interes të popullit shqiptar.

Bytyçi e mbyll analizën e tij duke u shprehur se "vendet e rajonit mund të marrin mbështetje nga personalitete të BE, pasi kemi një BE unik, por problemi është cili është interesi ynë?".

(Kosova Sot Online)