Zbardhet prapaskena dhe akuza shokuese për Edi Ramën: Ja e vërteta e “Mini Shengenit”

  • 14 November 2019 - 07:33
Zbardhet prapaskena dhe akuza shokuese për Edi Ramën: Ja e vërteta e “Mini Shengenit”

“Duket kjo ide ruse erdhi në një moment të përshtatshëm për interesat e saja gjeo-strategjike, pas refuzimit që iu bë nga Brukseli hapja e bisedimeve për anëtarësim Shqipërisë dhe Maqedonisë. Ky projekt favorizon interesat serbe jo vetëm ato politike por edhe ato ekonomike, duke i futur nën ndikimin rus përmes Beogradit të gjitha shtet e Ballkanit perëndimor”, tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

Hapja e idesë së “Mini Shengenit” Ballkanik, që së fundi u promovua nga Aleksandër Vuçiq, president i Serbisë, Edi Rama kryeministër i Shqipërisë dhe Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë së Veriut, ka hasur në reagime dhe kritika të ashpra në opinionin publikë shqiptar.

Kundërshtim të ashpër i ka bërë këtij projekti edhe analisti politik, Nexhat Haziri, sipas të cilit mbrapa krejt kësaj ideje, qëndrojnë interesat ruse dhe shtrirja e ndikimit rus në rajon përmes Serbisë, ku pastaj Serbia duke i pasur nën kontroll këto shtete, e përcjell ndikimin rus në këtë krijesë të re që pretendohet të ndërtohet, e që për pasojë është qëndrimi refuzues i BE-së për hapjen e negociatave për anëtarësim ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Image
Nexhat Haziri

“Pas idesë së të ashtuquajturit “Mini Shengenit” ballkanik që u lansua fillimisht si iniciativë e presidentit serb Vuqiq I mbështetur nga kryeministri shqiptar Edi Rama, bashkangjitur edhe kryeministri maqedon Zaev, qëndron Rusia, e cila më këtë projekt po tenton që rajonin e Ballkanit ta mbaj sa më larg integrimeve euro-perëndimore. Duket kjo ide ruse erdhi në një moment të përshtatshëm për interesat e saja gjeo-strategjike, pas refuzimit që iu bë nga Brukseli hapja e bisedimeve për anëtarësim Shqipërisë dhe Maqedonisë. Ky projekt favorizon interesat serbe jo vetëm ato politike por edhe ato ekonomike, duke i futur nën ndikimin rus përmes Beogradit të gjitha shtet e Ballkanit perëndimor”, tha analisti Haziri për “Kosova Sot Online”.

Më tej, Haziri e quan gabim historik të Edi Ramës, i cili i ka dhënë mbështetje këtij projekti.

“Mbështetja që po i jep këtij projekti, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, është një gabim i madh historik e strategjik që shkon deri në tradhti kombëtare, ngjashëm sikur pati vepruar Enver Hoxhaj pas Luftës së Dytë Botërore kur u pajtua që Kosova të mbetet në Jugosllavi, nën sovranitetin e Republikës së Serbisë, prandaj me të drejtë ky projekt është kundërshtuar që në fillim kur është hedhur si ide, në kohën e mandatit të Isa Mustafës si kryeministër, por edhe tani që po kundërshtohet nga LDK dhe LVV. Ndërsa përkrahja nga ana e Tiranës zyrtare, gjegjësisht nga kryeministri shqiptar Edi Rama këtij projekti në të cilën Kosova përfshihet në kuadër të Serbisë ashtu siç është publikuar harta nga mediet serbe, ta kujtoj të njëjtën politike që kishte ish-diktatori Enver Hoxha pas luftës së dytë botërore që nuk i dëshiroj shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të tjera që mbetën nën ish-RSFJ-në, pjesë të Republikës Popullore të Shqipërisë. Andaj refuzimi I këtij projekti, që ishte refuzuar edhe më parë nga ish-kryeministri Isa Mustafa, nga Kosova është vendimtar, pasi si I tillë nuk do të mund të vihet në funksion”, shtoi Haziri për “Kosova Sot Online”.

Për fund, Haziri beson që ky projekt do të dështojë, pasi nuk e ka mbështetjen nga bashkësia ndërkombëtare.

“Kjo iniciativë do të mbetet një tentativë e dështuar ngase vërejtje ndaj këtij projekti ka edhe nga Brukseli por edhe nga Washingtoni, kurse kundër doli së fundi edhe fqinji i afërt i Kosovës, Mali i Zi”, përfundoi Haziri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)