Paralajmërimi gjerman për spiunin rus, eksperti i sigurisë alarmon rëndë Kosovën

  • 14 November 2019 - 07:38
Paralajmërimi gjerman për spiunin rus, eksperti i sigurisë alarmon rëndë Kosovën

“Zgjedhja eventuale e një raportuesi për Kosovën të Asamblesë Parlamentare të këtij këshilli nga Federata Ruse, në këtë rast, përmendja e kandidaturës së zotit Vlladimirovic Kondratjev mund të debalancoj politikat e KE në raport me Kosovën. Aq më tepër nëse zgjedhja e tij eventuale korrespondon me kohën e një politike agresive të Serbisë në planin ndërkombëtar, do t’i vështirësonte Kosovës rrugën e integrimeve Euroatlantike dhe njohjet që pritën të përmbyllin shtetësinë e Kosovës”, tha Kajtazi për “Kosova Sot Online”.

Gazeta gjermane “Bild”, ka raportuar për një skandal në të cilin mund të përfshihet institucioni i Këshillit të Evropës me seli në Strasburg, është tentative që të vendosë për përfaqësues Special për dialogun Kosovë – Serbi për ta zgjedhë një ish-spiun që i kishte shërbyer Rusisë. Bëhet fjalë për Alexei Kondratiev, për të cilin gazeta gjermane ngre pikëpyetje se mund të emërohet i dërguar special për të zgjidhur çështjen e Kosovës. E pas raportimit në mediet gjermane për mundësinë e emërimit të një spiuni rusë në cilësinë raportuesit të KE-së për bisedimet mes Kosovës dhe Serbinë, për “Kosova Sot Online” ka folur eksperti i sigurisë Fadil Kajtazi.

Sipas Kajtazit, nëse merret parasysh roli i Këshillit të Evropës, vetëm si organizatë fiktive apo asociacion pa ndonjë kompetencë ekzekutive që përfaqësohen gati të gjitha shtetet e Evropës, vetvetiu na del një organizatë serioze dhe me peshë.

Image
Fadil Kajtazi

“Nëse kësaj i shtojmë atë që ky këshill është në të vërtetë, nivelet e përfaqësimit; dy organet statutore, Këshilli i Ministrave, i përbërë nga ministrat e jashtëm të secilit shtet anëtar dhe, Asambleja Parlamentare, e përbërë nga anëtarë të parlamenteve kombëtare të secilit shtet anëtar, kjo flet edhe më shumë për seriozitetin e kësaj organizate, e cila vetëm në fushën e lobimit nëse përdoret nga dikush, mund të sjell dobi të mëdha, por njëkohësisht nëse përdoret për qëllime të këqija, mundë të shkaktoj dëme të mëdha”, tha Kajtazi për “Kosova Sot Online”.

Sidomos për shtetet me demokraci të brishta, dhe shtetet me probleme ekonomike, sipas Kajtazit, ndihmesa e Këshillit të Evropës është shumë e çmuar.

“Kur kësaj i shtojmë edhe fushat që mbulon ky Institucion: Mbrojtja e sundimit të ligjit, masat kundër terrorizmit, efikasitetin e Drejtësisë, të drejtave të njeriut, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, ndihmës në reformat demokratike etj, shihet serioziteti dhe impakti i këtij institucioni që mundë të ketë direkt dhe indirekt në Kosovë. Këtu mundë të ketë ndikimin e vetë edhe zgjedhja e përfaqësuesit rus. Zgjedhja eventuale e një raportuesi për Kosovën të Asamblesë Parlamentare të këtij këshilli nga Federata Ruse, në këtë rast, përmendja e kandidaturës së zotit Vlladimirovic Kondratjev mund të debalancoj politikat e KE në raport me Kosovën. Aq më tepër nëse zgjedhja e tij eventuale korrespondon me kohën e një politike agresive të Serbisë në planin ndërkombëtar, do t’i vështirësonte Kosovës rrugën e integrimeve Euroatlantike dhe njohjet që pritën të përmbyllin shtetësinë e Kosovës”, tha për “Kosova Sot Online”, eksperti i fushës së sigurisë, Fadil Kajtazi.

Kajtazi shton se Kosova megjithatë e ka në mbështetje një shumicë dërmuese të vendeve që përfaqësohen në KE, të cilat e kanë njohur Kosovën, dhe ka njohuri të mjaftueshme për të kaluarën e kandidatit që po përmendet për tu zgjedhur Raportues për bisedimet mes Kosovës edhe Serbisë.

“Prandaj nga pamundësia që të ndikohet në mos zgjedhjen e tij, duhet të zgjidhet një ministër i punëve të jashtme shumë i përgatitur, i cili do të kujdestaron vazhdimisht në të gjitha lëvizjet dhe agjendat e ish spiunit rus, për ta amortizuar ndikimin e tij negativ tek vendet e treta. Aq sa njohim trashëgiminë politike të Vlladimirovic Kondratjev, kemi të bëjmë me personalitet i cili ka qasje armiqësore në drejtim të shtetësisë së Kosovës, dhe kjo nuk ka si të jetë ndryshe, pasi shteti që aj përfaqëson ndjekë këtë politikë. Sido që të jetë, shpresojmë se kundërpesha e veprimeve në KE është në anën tonë, pasi shumica e shteteve kanë njohur Kosovën. Në anën tjetër, zgjedhjen eventuale të Vlladimirovic Kondratjev si raportues, Kosova mundet ta amortizoj nëse zgjedh një ministër të punëve të jashtme kredibël, që si punë të parë që duhet të bëj është reformimi rrënjësor i korit diplomatik të Kosovës. Tani më është fakt se për shkak të ndërhyrjeve politike dhe nepotizmit, një pjesë e diplomatëve tanë, më tepër janë duke i bërë dëme Kosovës së sa dobi. Është për të ardhur keq për nivelin e përfaqësimit diplomatik të Kosovës, dhe po të krahasohet kjo në raport me rrjetin diplomatik që ka pasur Kosova në gjatë qeverisë Bukoshi të viteve 1091-1999, pjesa më e madhe e atyre që ne na përfaqësojnë tani në politikën e jashtme, lënë shumë për të dëshiruar, si në aspektin profesional, moral dhe etik”, deklaroi Kajtazi për “Kosova Sot Online”.

“Efektet negative të politikës së jashtme serbo-ruse mundë të zbehen, nëse Qeveria e ardhshme fillon të rris trendët e zhvillimit ekonomik, funksionimin e rendit dhe ligjit, luftën kundër korrupsionit, gjë që do të ndikonte në rritjen e kredibilitetit të vendit dhe me këtë edhe subjektivitetit ndërkombëtar”, përfundoi Kajtazi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)