VV e LDK s’tregojnë publikisht se janë pajtuar për mbylljen e AKP’së

  • 19 November 2019 - 12:13
VV e LDK s’tregojnë publikisht se janë pajtuar për mbylljen e AKP’së

Lidhja Demokratike e Kosovës e Lëvizja Vetëvendosje që sipas të gjitha gjasave do të udhëheqin së bashku qeverinë e ardhshme si duket do t’i mbajnë premtimet që dhanë gjatë fushatës për Agjencitë e pavarura. Të dy partitë kanë deklaruar se Bordet e Agjencive janë të politizuara dhe disa prej tyre duhet të mbyllen, apo të funksionojnë në kuadër të ministrive. Tashmë partia e Albin Kurtit e Isa Mustafës janë dakorduar që të mbyllet Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Në kuadër të disa takimeve që patën grupet punuese të VV-së e LDK-së për të harmonizuar programin qeverisës, si pjesë e ndjeshme e diskutimeve ishte ajo për agjencitë e pavarura.

Të dy partitë para nisjes së bisedimeve për koalicion kanë paralajmëruar se në qeverisjen e tyre do të ketë disa ndryshme te këto agjenci, duke paralajmëruar edhe mbylljen e tyre.

Kandidatja për kryeministre e LDK-së, Vjosa Osmani kishte deklaruar se bordet e Agjencive janë të politizuara dhe po ndikojnë në prishjen e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë si dhe në humbjen e besimit të qytetarëve, derisa, e njëjta kishte deklaruar se duhet depolitizim i menjëhershëm. 

Osmani kishte thënë se agjencitë dhe ndërmarrjet e ndryshme të pavarura në qeverinë e ardhshme do të funksionojnë në kuadër të ministrive përkatëse. Qëndrime të njëjta patën edhe nga partia e Albin Kurtit.

Dy subjektet që dolën të parat nga zgjedhjet e 6 tetorit siç merr vesh media tashmë janë pajtuar që në qeverisjen e tyre të mbyllet Agjencia Kosovare e Privatizimit – AKP-ja.

Tutje, bëhet e ditur se agjencia e privatizimit do të funksionojë në kuadër të Qeverisë e se procesi i privatizimit sipas kësaj marrëveshje do të jetë në kompetencë të qeverisë.

Media ka dërguar pyetje për këtë temë te zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, mirëpo, pavarësisht pritjeve, zyrtarisht nga asnjëra parti nuk kanë pranuar që të deklarohen për media.

(Kosova Sot Online)