Talibanët lirojnë një amerikan dhe një australian në këmbim të tre militantëve

  • 19 November 2019 - 15:32
Talibanët lirojnë një amerikan dhe një australian në këmbim të tre militantëve

Talibanët i kanë liruar një qytetar amerikan dhe një australian, të cilët i kishin marrë peng para tre vjetësh, në këmbim të lirimit të tre anëtarëve të rëndësishëm të grupitë të tyre nga burgjet e Afganistanit.

Australiani 50-vjeçar, Timothy Weeks, dhe amerikani 63-vjeçar, Kevin King, u liruan në provincën jugore të Zabul-it, duke i dhënë fund mbajtjes së tyre në robëri për më shumë se tri vjet. Ky shkëmbim i të burgosurve ishte planifikuar të bëhej javën e kaluar, por një gjë e tillë ishte anuluar për arsye të paqarta.

Lirimi i dy pengjeve, të cilët punonin si profesorë në Universitetin Amerikan të Afganistanit, u konfirmua të martën edhe nga talibanët dhe kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, i cili tha se qeveria e tij ka ndërmjetësuar në këtë proces.

Në anën tjetër, në mesin e personave të liruar nga organet e drejtësisë në Afganistan është edhe Anas Haqqani, vëllai i nënkryetarit të talibanëve, Sirajuddin Haqqani.

Ndryshe, presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, tha se ky vendim ishte i vështirë, por se u ndie i detyruar ta bënte këtë gjë për shkak të interesit të popullit afgan, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)