‘Pika e nxehtë’, ja dy postet që po e pengojnë koalicionin VV-LDK

  • 20 November 2019 - 07:48
‘Pika e nxehtë’, ja dy postet që po e pengojnë koalicionin VV-LDK

“Natyrisht se në këtë proces për formimin e qeverisë, ka ndikime edhe nëntoka kriminale, por edhe vet z. Thaçi, sidomos përmes deputetëve të minoriteteve jo serbe, të cilët si asnjëherë më parë kanë rritur kërkesat e tyre, sa që çdo minoritet kërkon që të përfaqësohet në qeveri me nga një ministër. Dhe kjo situatë e tillë, mund ta dërgoj vendin drejtë zgjedhjeve të reja, e që nuk është garanci as për LVV-në e as për LDK-në se do t’i shtojnë votat, apo edhe mund të kenë një rezultat të tillë. Shkuarja në zgjedhje i konvenon vetëm PDK-së dhe presidentit Thaçi”, tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

Partitë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, tanimë i kanë ndërprerë takimet e grupeve të ekspertëve për çështjen e harmonizimit të pikave programore, për të bashkëqeverisur në koalicionin për të cilin po angazhohen ta drejtojnë së bashku, mirëpo takimi i paralajmëruar në mes të dy liderëve partiak, Albin Kurtit dhe Isa Mustafa, për ta diskutuar dhe firmosur përfundimisht marrëveshjen, është shtyrë për kohë të pa caktuar në pritje të certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.

Analistët politikë, këtë zvarritje të nënshkrimit të marrëveshjes për koalicion mes VV-së dhe LDK-së, e shohin në fokusin e përplasjeve që LVV dhe LDK mundë të kenë për disa tema serioze për të cilat këto dy parti politike akoma kanë qëndrime të ndryshme, sikur që janë fillimisht ndarja e posteve qeveritare, dialogu me Serbinë dhe çështja e rishikimit të marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Sipas analistit politik, Nexhat Haziri, mospajtimi më i madh që po e pengon deri më tani firmosjen e hershme të marrëveshjes për koalicion është ndarja e kulaçit qeverisës, derisa për temat tjera si dialogu me Serbinë dhe çështjen e rishikimit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, nuk mundë të ketë dallime të cilat e pengojnë arritjen e marrëveshjes.

Image
Nexhat Haziri

“Ngase në të dyja këto tema qëndrimet janë mëse të qarta. Dallimet që mundë ta pengojnë krijimin e koalicionit në mes të LVV-së dhe LDK-së, që në opinion po plasohen nga të dy subjektet politike si dallime për çështje serioze programore e konceptuale, nuk janë të tilla, e as për çështje të rishikimit të demarkacionit me Malin e Zi, pasi për palën malazeze kjo është një punë e kryer dhe edhe VV-ja këtë e ka parasysh se s’mund të negociosh për diçka që nuk e ke edhe palën e dytë të involvuar në çështjen në fjalë. Këto dallime janë në mes subjekteve politike LVV-së dhe LDK-së, janë dallim në marrëveshjen për ndarjen e posteve, ku sharra ka has në gozhdë tek posti i presidentit dhe ai i ministrit të jashtëm, ku LVV-ja pretendon që ti vendos njerëzit e dëgjueshëm në këto dy poste, duke e lënë LDK-në, me disa ministri jo shumë të rëndësishme në raport me fuqinë e saj në Kuvend”, tha analisti politik, Nexhat Haziri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Hazirit, problemi sa vjen e bëhet më serioz tek këto mosmarrëveshje, ngase asnjëri nga këto dy subjekte politike, kur është fjala te ndarja e posteve ministrore dhe marrëveshja për presidentin në vitin 2021, nuk mundë të thirren në dallimet e mëdha që kanë në fuqinë e përfaqësimit në Kuvend.

“Sepse ai dallim është krejtësisht minimal, prandaj para së gjithash, palët duhet të tregojnë vullnet të sinqertë për ti dhënë vendit një qeverisje ndryshe nga ajo që ka qenë, në interesin nacional të zhvillimit dhe të sundimit të ligjit”.

Ndryshe, dështimi i koalicionit dhe shkuarja në zgjedhje të reja, sipas Hazirit shkon në favor të Hashim Thaçit dhe të PDK-së, ngase edhe janë duke punuar në këtë drejtim, duke u përpjekur që ta sabotojnë arritjen e koalicionit nëpërmes ndikimit tek deputetët e minoriteteve në Kuvendin e Kosovës.

“Dihet se dallimi në mes LV-së dhe LDK-së është vetëm një apo dy deputet, dhe këtë duhet ta ketë parasysh LVV-ja që nuk mund të sillet me një arrogancë në raport me LDK-në, dhe po ashtu Albin Kurti si kryeministër i mundshëm duhet ta ketë parasysh se nuk mund ta bëjë drejtimin e qeverisë së Kosovës në frymën e njëjtë me të cilën e udhëheq LVV-në”, tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, këto mospajtime mes LVV-së dhe LDK-së është duke i shfrytëzuar nëntoka kriminale e klanit “Pronto” për t’i theluar ato dhe pamundësuar arritjen e marrëveshjes, duke provokuar kështu zgjedhje të reja.

“Natyrisht se në këtë proces për formimin e qeverisë, ka ndikime edhe nëntoka kriminale,por edhe vet z. Thaçi, sidomos përmes deputetëve të minoriteteve jo serbe, të cilët si asnjëherë më parë kanë rritur kërkesat e tyre, sa që çdo minoritet kërkon që të përfaqësohet në qeveri me nga një ministër. Dhe kjo situatë e tillë, mund ta dërgoj vendin drejtë zgjedhjeve të reja, e që nuk është garanci as për LVV-në e as për LDK-në se do t’i shtojnë votat, apo edhe mund të kenë një rezultat të tillë. Shkuarja në zgjedhje i konvenon vetëm PDK-së dhe presidentit Thaçi”, përfundoi Nexhat Haziri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)