Kosovari jeton në gjendje të tmerrshme brenda burgjeve të Sirisë: Aspak s’jam penduar që iu bashkova ISIS’it

  • 20 November 2019 - 16:54
Kosovari jeton në gjendje të tmerrshme brenda burgjeve të Sirisë: Aspak s’jam penduar që iu bashkova ISIS’it

Është nga Kosova por me nënshtetësi amerikane. Lirim Sylejmani la SHBA’të për t’iu bashkuar terroristëve të ISIS’it, por sot ai ndodhet nëpër burgjet e Sirisë, bashkë me bashkëluftëtarët e tij. Prej atje, ai po thotë se nuk është penduar për këtë që bëri.

Rrjeti i televizionit dhe radiove, CBS News në muajin shtator ka realizuar një kronikë në burgun e sigurisë së lartë në veri-lindje të Sirisë, ku për herë të parë është lejuar kamera televizive.

Sipas gazetarës së këtij mediumi, burgu është si Kombet e Bashkuara, kjo pasi që atje kishte njerëz nga Belgjika, Holanda, Gjermania, por edhe Amerika.

E nga Amerika për t’iu bashkuar ISIS’it shkoi edhe një kosovar, Lirim Sylejmani.

Ky i fundit, nga burgu në të cilin duket se jeton në gjendje të mjerueshme, ka dhënë një deklaratë të shkurtër për gazetarët.

“Zgjedhjet që bëra në sytë e dikujt tjetër janë të gabuara, kështu që po përballem me burgun. Unë nuk besoj që bëra gabim, unë vetëm doja të jetoja nën ligjin Islamik”, ka thënë Sylejmani.

Ata u nisën për një ‘parajsë islamike’, por përfunduan duke jetuar nëpër burgje, disa prej tyre me lëndime serioze që i kanë marrë nga fusha e betejës.

Sidoqoftë, sa i përket ISIS, javën që lam pas Presidenti Amerikan, Donald Trump, njoftoi se Ushtria Amerikane në një operacion të madh ka vrarë liderin e tyre, terroristin Abu Bakr al-Baghdadi, por që ende ekzistojnë militantë dhe përkrahës të ideve të këtij të fundit.

(Kosova Sot Online)