Akuzat e rënda: Drejtësia e kosovare një biznes kriminal, prokurorët dhe gjyqtarët fabrikojnë rastet...

  • 26 November 2019 - 07:37
Akuzat e rënda: Drejtësia e kosovare një biznes kriminal, prokurorët dhe gjyqtarët fabrikojnë rastet...

“Njerëzit e guximshëm, patriotë, moralistë e profesionalistë nuk mungojnë, ata janë por nuk guxojnë të duken pasi janë të asfiksuar, të presionuar, të kërcënuar, të frikësuar dhe të injoruar nga injoranca, krimi, hajnia dhe korrupsioni, pasi krimi, korrupsioni, injoranca, ligësia, tradhtia dhe hajnia janë të institucionalizuar dhe janë të fuqishëm dhe të armatosur rëndë me paranë, pasurinë dhe kanë siguri, mbështetje dhe armë të fortë pushtetin, politikën dhe drejtësinë”, tha Skënder Kapiti për “Kosova Sot Online”.

Ekspertët e fushës së të drejtës, vazhdojnë kritikat e tyre për dështimin e shtetit të Kosovës në këto 20 vite të realitetit të ri të krijuar, të funksionimit si shtet i pavarur, madje tash e 13 vite edhe i njohur ndërkombëtarisht, por akoma nuk e kemi ndërtuar një drejtësi profesionale, të pa ndikuar nga politika dhe tërësisht funksionale.

Për më keq, njohësit e kësaj fushe e shohin me shqetësim faktin se si është bërë drejtësia kosovare biznes ku prokurorët e gjyqtaret fabrikojnë raste, varësisht kush sa u jep ose mbyllin raste edhe pse kanë argumente me “tonelata”.

Lidhur me këtë gjendje të mjerueshme në sistemin e drejtësisë, për “Kosova Sot Online” ka folur njohësi i kësaj fushe Skënder Kapiti.

Sipas Kapitit, Kosova po vuan për gjyqtarë e prokurorë dhe hetues që kanë etikë e integritet profesional, dhe që nuk i nënshtrohen politikës së tej inkriminuar.

Image
Skender Kapiti

“Kosovës akoma po i mungojnë njerëzit e tillë të guximshëm e profesional që përpiqen ta bëjnë punën e tyre profesionale, e nëse presioni është i madh nga politika të tregojnë kërcënimet publikisht për opinionin e gjerë, prandaj qytetarët po e vuajnë një situatë të tillë ta kapjes së shtetit, duke u shndërruar sistemi i drejtësisë në biznes kriminal e profitabil për klasën sunduese”.

“Drejtësia, edhe në Shqipëri edhe Kosovë, është biznes fitimprurës, ku biznesmenët janë gjyqtarët, prokurorët dhe politika e pushteti. Si biznese të këtij aktiviteti kriminal pasurimi të pa ligjshëm janë korrupsioni, ryshfeti, vjedhja, pazari, tregtia e ankandi i ligjit dhe e të të drejtave të qytetarëve dhe të atyre shtetërore. Pra kjo do të thotë se shtetin, drejtësinë, politikën e shoqërinë i ka kapur krimi dhe korrupsioni politiko-juridik, gjë që e ka falimentuar shtetin ligjor dhe demokracinë të cilat vetëm sa qarkullojnë, funksionojnë e sillen si thashetheme publike e mediatike”, shtoi Kapiti për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, edhe pse Kosova ka profesionistë të drejtësisë me integritet profesional, ata nuk mundë të dalin dhe veprojnë në mënyrë të pavarur, pasi janë të kërcënuar nga politika dhe krimi i organizuar, segmente kriminale këto që mundë të eliminohen vetëm me ligjin Veting.

“Njerëzit e guximshëm, patriotë, moralistë e profesionalistë nuk mungojnë, ata janë por nuk guxojnë të duken pasi janë të asfiksuar, të presionuar, të kërcënuar, të frikësuar dhe të injoruar nga injoranca, krimi, hajnia dhe korrupsioni, pasi krimi, korrupsioni, injoranca, ligësia, tradhtia dhe hajnia janë të institucionalizuar dhe janë të fuqishëm dhe të armatosur rëndë me paranë, pasurinë dhe kanë siguri, mbështetje dhe armë të fortë pushtetin, politikën dhe drejtësinë. Kjo gjendje është një fatkeqësi e madhe kombëtare , pasi shiko se çfarë ndodh edhe në Shqipëri, ku ka 2 vite që është miratuar Vetting-u dhe pavarësisht rezultateve që ka arritur ai, çrrënjosja e sistemit korruptivo-kriminal që ka kapur të gjitha arteriet e shtetit e të shoqërisë po kërkon shumë kohë dhe energji”, tha Skënder Kapiti për “Kosova Sot Online”.

Ai beson se me institucionet e reja pas zgjedhore të zgjedhjeve të 6 tetorit, dhe gjërat do të ndryshojnë pozitivisht, sepse ishin qytetarët ata që zënë fillin e ndëshkimit të politikës së zhytur në krim e korrupsion.

“Shpresoj dhe besoj se verdikti i shqiptarëve të Kosovës më 6 tetor 2019 foli qartë se ai verdikt ishte ndëshkim i merituar për klasën politike të kriminalizuar e të korruptuar në Kosovë e cila është aktorja dhe bartësja e krimit, korrupsionit, abuzimit dhe hajdutërisë si ajo ashtu edhe sistemi i drejtësisë politike e të korruptuar i cili edhe ai tashme duhet çmontuar”, përfundoi Kapiti për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)