Mediet ndërkombëtare raportojnë për tërmetet në Shqipëri

  • 26 November 2019 - 08:58
Mediet ndërkombëtare raportojnë për tërmetet në Shqipëri

Tërmeti i fortë që goditi Shqipërinë në orët e para të mëngjesit është pasqyruar gjerësisht dhe në mediet e huaja të cilat e kanë cilësuar si tërmetin më të fortë prej dekadave.

Tërmeti më i fortë prej dekadash trondit Shqipërinë, viktima, të plagosur, të zhdukur dhe dëme të shumta materiale dhe panik tek qytetarët. Janë këto termat më të përdorura nga mediet e huaja të cilat i kanë dhënë jehonë të madhe tërmetit që goditi Shqipërinë.

Mediet italiane raportojnë se lëkundjet janë ndjerë dhe në territorin e Italisë, në Pulia dhe Bazilikatë ndërsa Reuters, Daily Mail, Asociated Press e shumë të tjera konfirmojnë viktimat dhe më shumë se 100 të plagosur. Goditja më e fortë ishte me magnitudë 6.5, 34 kilometra në veri perëndim të Tiranës dhe u shënua në 03.54, me epiqendër në Durrës.

Në shumë zona është ndërprerë energjia elektrike, ndërsa forcat e ushtrisë kanë gërmuar në gërmadhat e ndërtesave të shembura me shpresën për të gjetur të mbijetuar.

Personat që kanë kërkuar ndihmë mjekësore kryesisht kishin fraktura dhe ndrydhje. 

(Kosova Sot Online )