Kronologjia e tërmeteve që tronditen sot Shqipërinë, kur ndodhi i pari dhe si vazhdoi seria e goditjeve

  • 26 November 2019 - 14:08
Kronologjia e tërmeteve që tronditen sot Shqipërinë, kur ndodhi i pari dhe si vazhdoi seria e goditjeve

Sipas informacioneve zyrtare deri ne orën 13:00, si pasojë e një serie tërmetesh që e kanë goditur Shqipërinë, kanë mbetur të vdekur 13 persona, ndërkohë dyshohet edhe për trupa të tjerë të pajetë që kanë mbetur nën rrënoja.

Disa persona ndërkohë janë shpëtuar nga forcat e mëdha të specializuara të cilët po bëjnë kërkime nën rrënojat e ndërtesave, e numri i të lënduarve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore ka shkuar mbi 700.

Por kur kishte filluar seria e tërmeteve:

Sipas EMSC (European-Mediterranean Seismological Centre), tërmeti i parë dhe më i madhi ka ndodhur në orën 03:54 e 11 sekonda në Detin Adriatik me magnitutë 6.4,  e i cili është ndjerë deri në Tiranë dhe Shijak dhe gjithashtu edhe pothuajse në gjithë Kosovën. 

Vetëm pesë minuta më vonë një tërmet prej 5.1 ballësh ka goditur Shqipërinë (03:59 e 24 sekonda), i cili gjithashtu është ndjerë deri në Tiranë e Shijak.

Ndërkohë në orën 04 e 03 minuta , një tërmet prej 5.3 ballësh ka goditur përsëri Shqipërinë. Dridhjet janë ndjerë deri në Tiranë dhe Vlorë.

Kjo seri prej 3 tërmetesh radhazi është ndërprerë për një periudhë prej 3 orësh, duke u rikthyer prapë në orën 7 e 8 minuta të mëngjesit. Një tërmet prej 5.4 ballësh me epiqendër në Detin Adriatik është ndjerë deri në Tiranë e Durrës. Gjithashtu dridhjet janë ndjerë përsëri edhe në Kosovë.

Pas Shqipërisë, në orën 10 e 19 minuta një tërmet prej 5.4 shkallësh ka goditur edhe Bosnje e Hercegovinën. Dridhjen janë ndjerë edhe në Kroaci, Serbi e Kosovë.

Shqipërisë ndërkohë i janë vënë në ndihmë të gjithat shtetet e rajonit dhe botës. Kosova ka qenë e para që ka nisur drejt Durrësit një numër të madh forcash të specializuara për t’iu vënë në ndihmë autoriteteve të shpëtimit atje, pasi që qyteti bregdetar e ka pësuar më së shumti nga gjithë kjo seri tërmetesh. Ndërkohë ndihmë i ka ofruar, Mali i Zi, Serbia, Italia e Gjermania. Gjithashtu edhe Bashkimi Evropian është treguar i gatshëm për të ndihmuar.

Image

(Kosova Sot Online)