Operacionet e kërkimit, në 14 orë nxirren nga rrënojat 11 trupa të pajetë

  • 28 November 2019 - 13:12
Operacionet e kërkimit, në 14 orë nxirren nga rrënojat 11 trupa të pajetë

Operacionet e kërkim-shpëtimit kanë vijuar për nxjerrjen e personave që kanë mbetur nën rrënoja, si pasojë e tërmetit. Në Thumanë  dhe Durrës prej orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme dhe deri në orën 12.40  janë nxjerrë nga rrënojat 10 shtetas të pajetë.

Forcat Speciale “RENEA, FNSH-ja e Tiranës, Shkodrës dhe e Fierit, forcat e ushtrisë, zjarrfikëset, emergjencat civile dhe ekipet e shpëtimit të ardhura nga shumë vende të rajonit dhe Evropës, si dhe policia lokale e Durrësit dhe Krujës kanë vijuar operacionet e kërkim-shpëtimit përgjatë gjithë natës në kushte të vështira.

Në Thumanë aktualisht janë ndërprerë kërkimet, pasi nga të dhënat që disponohen nuk ka më persona nën rrënoja. Ndërkohë në  Durrës vijojnë kërkimet në lagjet numër 6, 13 dhe 17 për gjetjen e personave të tjerë që dyshohet se kanë mbetur poshtë rrënojave.

Punonjësit e Policisë janë të angazhuar edhe  në ndihmë të ekipeve të emergjencave, në qendrat ku janë ngritur çadrat. Nga lëkundjet e fundit nuk janë konstatuar  probleme  për  jetën e qytetarëve.

(Kosova Sot Online)