Kosovarët hapin dyert e shtëpisë për familjen Kurti që u prek nga tërmeti

  • 28 November 2019 - 14:30
Kosovarët hapin dyert e shtëpisë për familjen Kurti që u prek nga tërmeti

Në Kosovë, dy dekada më parë serbët ishin ata që shkatërruan gjithçka që ju doli para. Nuk shikuan se a është fëmijë, i rritur apo i moshuar.

E vetmja zgjidhje për popullin kosovar kishte mbetur ikja nga Kosova.

Të rreshtuar në kolona të gjata e të strukur në traktorë e mjete tjera transportuese, ata ia mësynë Shqipërisë, duke marrë me vete shpresën që të kthehen një ditë sërish në Kosovë.

Përtej kufirit, shqiptarët e Kosovës e gjenin një lehtësim në shpirtin e tyre, pasi atje priteshin nga shqiptarët e Shqipërisë, të cilët do t’i siguronin vendstrehim, ushqim e veshmbathje.

Por, pritja vëllazërore që bënë, atyre iu kthye nga populli i Kosovës 20 vjet pas.

Për shkak të tërmetit që ndodhi në Durrës dhe në Thumanë, kosovarët shprehën gatishmërinë e tyre që t’iu ndihmojnë me gjithçka që kanë.

Familja e Lulzim Kurtit, e cila është ndër familjet e shumta që u prek nga tërmeti, erdhi në Kosovë të mërkurën në orët e hershme të mëngjesit.

Gruaja e tij, Eduarda, ndonëse e traumatizuar akoma, rrëfen përjetimet e saj nga tërmeti i së martës.

Për ta Kosova ishte adresa e parë dhe e vetme. Kjo familje u prit me plot dashuri në Kosovë, duke i strehuar fillimisht në një hotel në kryeqytet.

Pasi të qetësohet situata, Eduarda thotë se i duhet të kthehet në Shqipëri për ta mbajtur familjen. Ajo në Durrës punon në një fabrikë këpucësh.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, familja Kurti do të strehohen tek familja e Beqir Mehmetit nga Matiqani i Prishtinës.

Për këto dy familje ky është takimi i tyre i parë.

Familja Mehmeti, u zotua se do t’i ndihmojnë ata me gjithçka që kanë, derisa në disa momente nuk munguan as lotët.

Familja Kurti është në mesin e shumë familjeve të tjera që u strehuan në Kosovë.

(Kosova Sot Online)