Meta flet pas takimit me ekspertë të sizmiologjisë: Katër kërkesat që kam ndaj qeverisë

  • 03 December 2019 - 15:29
Meta flet pas takimit me ekspertë të sizmiologjisë: Katër kërkesat që kam ndaj qeverisë

Pas takimit me pedagogë dhe ekspertë të sizmiologjisë, Presidenti Ilir Meta shkruan se i ka bërë disa kërkesa qeverisë lidhur me situatën e krijuar pas tërmetit të 26 nëntorit.

Meta kërkon kompletimin e një harte të re Fizike të Riskut për Shqipërinë në të cilën do të përfshihen dhe saktësohen zonat me rrezik sizmik.

“Pas takimit me pedagogët dhe drejtuesit shkencorë, lidhur me situatën e krijuar pas tërmetit, i kam kërkuar sot Qeverisë:

– Fillimin e punës sa më parë, për azhornimin dhe kompletimin e një Harte të re Fizike të Riskut për Shqipërinë në të cilën do të përfshihen dhe saktësohen zonat me rrezik sizmik, si dhe të gjitha territoret e kërcënuara nga erozionet, përmbytjet, rrëshqitjet, zjarret, etj;

– Zbatimin e detyrueshëm në të gjithë territorin e vendit të sistemit të eurokodeve në ndërtimet civile dhe objektet e banimit, pa asnjë përjashtim;

– Plotësimin e legjislacionit të planifikimit urban me elementë të rinj sigurie, sipas procedurave bashkëkohore, në projektimin dhe ndërtimin e objekteve të ndërtimit;

– Në kuadër të rishikimit të Buxhetit 2020, për përballimin e pasojave tepër të rënda, duhet të planifikohet edhe mbështetja e domosdoshme financiare për institucionet përkatëse të kërkimit shkencor”, shkruan Meta.

(Kosova Sot Online)