Aktakuzë kundër dy shtetasve të Shqipërisë për kontrabandim me migrantë

  • 06 dhjetor 2019 - 14:41
Aktakuzë kundër dy shtetasve të Shqipërisë për kontrabandim me migrantë

Prokuroria Themelore e Prizrenit ka ngritur aktakuzë kundër kundër L.B., dhe A.R., të dy shtetas nga Republika e Shqipërisë, të cilët gjenden në paraburgim nga data 10.11.2019, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Kontrabandimi me migrantë”.

Sipas aktakuzës, më 10.11.2019, rreth orës 02:15 në Prizren, është vërtetuar se të pandehurit L.B., dhe A.R., në bashkëkryerje merren me kontrabandim të migrantëve me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë pasurore, në atë mënyrë që derisa zyrtarët e policisë kufitare të pikë kalimit kufitar në Vërmicë, ishin në kryerjen e detyrës zyrtare, përmes vëzhgimit me dylbi në vendin e quajtur ‘’Foleja e Shqiponjës’’ në afërsi të krojeve të fshatit Vërmicë, kanë vërejtur një grup njerëzish duke kaluar ilegalisht kufirin nga Republika e Shqipërisë për në Republikën e Kosovës.

“Të pandehurit së bashku me grupin e personave të tjerë janë ndalur nga ana e Policisë Kufitare, si dhe pas verifikimit nga zyrtarët policorë është vërtetuar se të njëjtit ishin shtetas të huaj nga Republika e Sirisë, të cilët më pas, së bashku me dy të pandehurit e lartpërmendur janë shoqëruar në stacionin policor në Vërmicë”, njofton Prokuroria.

Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit L.B., dhe A.R., kanë përmbushur elementet e veprës penale “Kontrabandimi me migrantë” sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, për veprën penale e cila u vihet në barrë.

(Kosova Sot Online)