Ndizet alarmi për dështimin e koalicionit, ja ndërhyrja e kujt po kërkohet

  • 06 December 2019 - 17:27
Ndizet alarmi për dështimin e koalicionit, ja ndërhyrja e kujt po kërkohet

“Madje nëse nuk ndërhynë ambasada e SHBA-s dhe përfaqësuesit e Kuintit, të dy këto subjekte politike, që tani kanë filluar ta zhgënjejnë qytetarin, ngase pikërisht takimi në nivelin e kryetarëve të partive, kur edhe pritej ndarja e ministrive dhe pozitave kryesore gjatë mandatit të ardhshëm qeverisës, që në fillim të negociatave për koalicion, dëshmoi se ato nuk po arrijnë gjuhë të përbashkët në emër të interesit për ndryshime dhe ç`kapje të shtetit, ashtu sikur patën premtuar gjate fushatës elektorale”, tha Qarri për “Kosova Sot Online”.

Analistët politikë i kanë përcjellë me shumë kujdes të gjitha takimet e zhvilluara në mes të LDK-së dhe VV-së, në përpjekjet për arritjen e një koalicioni qeverisës, që nga dita e përfundimit të zgjedhjeve dhe publikimit të rezultatit preliminar, që i nxori këto dy subjekte fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit.

Përkundër pritjeve të opinionit publik për arritjen e marrëveshjes së premtuar, u pa ashiqare që akoma janë larg një mundësie të tillë, pasi që deri më tash nuk është bërë asnjë hap përpara në drejtim të përpjekjes për marrëveshje në ndarjen e pushtetit.

Analisti politik, Gani Qarri vlerëson se dallimet dhe lakmia për pushtet janë aq të thella, sa që është e pamundur që brenda një afati të shkurtër kohor të tejkalohen këto dallime, ngase për të krijuar më shpejtë institucionet e reja, për interesin qytetar në të cilin janë thirrur në zgjedhje, duhet të bëhen edhe kompromise politike, gjë që palët nuk po e dëshmojnë tani një vullnet të tillë.

Image
Gani Qarri

“Megjithëse ka kohë që përfaqësuesit, e të dy partive politike Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, bombarduan pareshtur opinionin kinse ata janë në fazën përfundimtare të përgatitjes dhe të hënën, që lamë pas, sipas tyre do të nënshkruhej marrëveshja për krijimin e koalicionit të ri qeverisës, takimi i fundit i liderëve te LVV-s dhe LDK-së, parti fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit, dëshmoi hapur, se ata ende kanë mospajtime, bile për momentin, pothuajse të patejkalueshme”, tha Gani Qarri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Qarrit, atmosfera publike dhe disponimi i liderëve të të dy partive politike, flet qartë se bisedimet kanë hasur në mosmarrëveshje të thella që nuk mundë të zgjidhen pa një ndërmjetësim ndërkombëtar, përmes ambasadave të huaja, sikur që ka ndodhur edhe në raste të tjera.

“Madje nëse nuk ndërhynë ambasada e SHBA-s dhe përfaqësuesit e Kuintit, të dy këto subjekte politike, që tani kanë filluar ta zhgënjejnë qytetarin, ngase pikërisht takimi në nivelin e kryetarëve të partive, kur edhe pritej ndarja e ministrive dhe pozitave kryesore gjatë mandatit të ardhshëm qeverisës, që në fillim të negociatave për koalicion, dëshmoi se ato nuk po arrijnë gjuhë të përbashkët në emër të interesit për ndryshime dhe ç`kapje të shtetit, ashtu sikur patën premtuar gjate fushatës elektorale. Për aq më tepër, nga rrjedhja e informacioneve të caktuara, dëshmohet katërçipërisht se të dy këto dy parti, tani për tani janë fokusuar kryekëput ne ndarjen e pushtetit vetëm për rehatimin e grupeve klienteliste brenda partiake dhe grabitjes se pozitave me profitabile, por jo edhe për ç'kapjen e institucioneve shtetërorë dhe ndryshimet në vend, ashtu siç pritej dhe për të cilat ka votuar dhe vendosur sovrani”, deklaroi Qarri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)