Zbardhet e gjithë prapaskena: Ky është skenari i Thaçit për destabizimin e Kosovës

  • 09 dhjetor 2019 - 07:45
Zbardhet e gjithë prapaskena: Ky është skenari i Thaçit për destabizimin e Kosovës

“Kjo është edhe një dëshmi e qartë se si Hashim Thaçi vazhdon t'i ketë nën kontroll të të vetin të gjitha institucionet në Kosovë, të cilat në rrethana normale do të duhej të ishin krejtësisht të pavarura dhe në shërbim të qytetarëve. Ky nuk është gjë tjetër, veç se skenarë i përgatitur dhe plan i sinkronizuar politik për destabilizimin e vendit në prag të formimit të qeverisë së re. Hashim Thaçi, nuk është duke lënë gurë pa lëvizur që të pamundësoj krijimin e Qeverisë Kurti, nga e cila ka fobi, po aq sa nga Gjykata Speciale”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Avokati i popullit, Hilmi Jashari e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për pagat, të miratuar nga koalicioni PAN, pikërisht tash kur në dhjetor ky ligj do të duhej të hynte në fuqi.

E deputeti i LDK-se, Haxhi Avdyli e ka akuzuar Jasharin se këtë veprim e ka bërë me urdhër të Hashim Thaçit, duke e quajtur gjithë këtë plan si një skenari Thaçit.

“Avokati i popullit (me 5 dhjetor) si institucion i "pavarur" nga politika por jo nga Thaçi, dërgon ligjin në kushtetuese. Gjykata kushtetuese bllokon implementimin e ligjit dhe alokimin e pagave me rritje për punëtorët. Sindikatat e "pavarura" nga politika por jo nga klani i Thaçit, ( më 6 dhjetor) bëjnë thirrje për mobilizim për greva e për revoltë popullore deri në bllokim të shërbimeve shëndetësore deri në dëmtim të pacientëve, paralizim të arsimit deri në revoltë të prindërve, dhe ne fund anarki ne rend e lig,j në lagje e qytete nga greva e policëve. E çuditshme se si heshtën sindikatat 9 muaj (që memorandum kanë me PAN-in të nënshkruar në fushatë edhe atë para medieve) edhe kur u prolongua implementimi i ligjit problematik për paga, e menjëherë pas 6 tetorit riaktivizohen, për ta jetësuar planin destabilizues”, ka thënë deputeti Avdyli.

Se ky është një skenar i mirë koordinuar nga Hashim Thaçi dhe Hilmi Jashari, për “Kosova Sot Online” ka folur edhe analisti politik, Florim Zeqa.

Sipas Zeqës, kjo mënyrë veprimi është një dëshmi e qartë se si Hashim Thaçi po vazhdon t’i ketë nën kontroll të gjitha institucionet në Kosovë, të cilat do të duhej të ishin të pavarura. Madje sipas Zeqës, Thaçi po provokon me destabilizim Kosovën me qëllime të paramenduara e mirë planifikuara, dhe këtë e bënë në mënyrë që të vazhdon të mos jetë i prekur edhe për ndonjë kohë nga Gjykata Speciale, sepse ai paraqitet faktor kyç në ruajtjen e stabilitetit të shtetit.

Image
Florim Zeqa

"Ujku do mjegull" e thotë një fjalë e urtë popullore. Sa herë që "ujkut" i rrezikohet "gjahu", në këtë rast kontrolli i pushtetit e krijon mjegullën artificiale përmes mekanizmave që ai i dirigjon. Sikurse Kosova që nuk është shtet i pavarur, por i kontrolluar dhe varur në plotni nga prezenca politike dhe ushtarake e forcave ndërkombëtare, ashtu edhe institucionet e shtetit në "inkubator", që në rrethana normale do duhej të ishin të pavarura, janë nën kontrollin e plotë të Hashim Thaçit dhe klikës së tij. Edhe institucioni i "Avokatit të Popullit", i aplikuar për herë të parë në Kosovën e pas luftës me një avokat ndërkombëtar, i pasuar me avokat vendor, në vend që të jetë në shërbim të qytetarëve, ka kaluar në shërbim të plotë të pushtetarëve të inkriminuar”, tha Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, futja në lojë e Avokatit të Popullit vetëm tani kur erdhën orët e fundit për hyrjen e ligjit në fuqi,, tregon më së miri se kujt i shërben ai dhe vegël e kujt është.

“Pra, "Avokati i Popullit", Hilmi Jashari me dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të ligjit për pagat, pikërisht tash kur në dhjetor ky ligj do të hynte ne fuqi, është bërë avokat i djallit dhe levë e pushtetarëve të inkriminuar për realizimin e qëllimeve politike në dëm të qytetarëve. Është qartë e kuptueshme se Jashari këtë veprim e ka bërë me urdhër të padronit të tij, presidentit Hashim Thaçi, për të bllokuar implementimin e ligjit për pagat. Përmes këtij veprimi skandaloz të "Avokatit të Popullit", aktivizohen edhe mekanizmat tjerë përcjellës të Hashim Thaçit, që janë "Sindikatat e Pavarura", të cilat bëjnë thirrje për mobilizim për greva e për revoltë popullore deri në bllokim të shërbimeve shëndetësore deri në dëmtim të pacientëve, paralizim të arsimit deri në revoltë të prindërve, dhe ne fund anarki në rend e ligj në lagje e qytete nga greva e policëve”, theksoi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Madje sipas tij, krejt ky lloj tetari është përgatitur mirë e me kohë nga Hashim Thaçi, që ta ketë edhe një argument tjetër për ta vazhduar amnistinë nga Gjykata Speciale, në emër të liderit që e ruan stabilitetin dhe qetësinë qytetare brenda shtetit në një anë, dhe në anën tjetër të vazhdojë ta pengojë krijimin e qeverisë së LVV-së me kryeministër Albin Kurtin.

“Kjo është edhe një dëshmi e qartë se si Hashim Thaçi vazhdon t'i ketë nën kontroll të të vetin të gjitha institucionet në Kosovë, të cilat në rrethana normale do të duhej të ishin krejtësisht të pavarura dhe në shërbim të qytetarëve. Ky nuk është gjë tjetër, veç se skenarë i përgatitur dhe plan i sinkronizuar politik për destabilizimin e vendit në prag të formimit të qeverisë së re. Hashim Thaçi, nuk është duke lënë gurë pa lëvizur që të pamundësoj krijimin e Qeverisë Kurti, nga e cila ka fobi, po aq sa nga Gjykata Speciale”, përfundoi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)