A po futet Nisma në koalicionin qeverisës?

  • 09 December 2019 - 22:08
A po futet Nisma në koalicionin qeverisës?

Nisma pa ofertë seriozë nga partitë për t’u bërë pjesë e koalicionit, Jakup Krasniqi kritikon koalicionet tjera.

Luftuan shumë për të kaluar pragun.

Por, prapë së prapë duket Nisma do të  mbete në opozitë.

Kjo pasi për këtë parti nuk pati asnjë ofertë serioze, për t’u bërë pjesë e koalicionit.

Të paktën kështu thotë  Jakup Krasniqi, që është kryetar  i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate.

Ndërkaq, Krasniqi pati edhe kritika për KQZ-në.

 “Sovrani e ka kryer punën e vet më së miri, por si duket administrimi i këtyre zgjedhjeve nuk ka qenë më i miri i mundshëm dhe u krijua pastaj bindja se Nisma po hynë apo jo në Kuvend, kjo me një vendim të gabueshëm të KQZ-së i cili i dha rezultatet për deputetë që në fakt certifikimi do të duhej të bëhej pasi të mbyllen të gjitha kërkesat dhe ankesat që ekzistojnë tek pastaj të jepet rezultati zgjedhor’’, thotë Jakup Krasniqi, kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës Social Demokrate.

Kryetari i këshillit kombëtar të Nismës, pati vërejte edhe për koalicionet.

Jakup Krasniqi mendon se koalicioni mes VV  dhe LDK është i gabuar.

 ‘’VV-ja dhe LDK-ja janë dy partitë më të mëdha që kanë dalë nga zgjedhjet, mund të themi se janë partitë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit të 2019-tes, zakonisht në botën demokratike, në demokraci parlamentare koalicionet nuk bëhen ndërmjet dy partive më të mëdha, por bëhen në mes partisë më të madhe që i ka fituar zgjedhjet dhe partisë së tretë apo të katërt, por jo me të dytën, zakonisht partia e dytë është opozitë’’, shton ai.

Ish kryetari i kuvendit foli edhe për çështjen se kujt i takon kryetari i Parlamentit.

Sipas tij kjo pozitë i takon partisë që ka dal fituese në zgjedhje. Pos kësaj Krasniqi foli edhe për takimin e  anëtarit të Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla me Marko Gjuriq.

Ai theksoi se për të më e rëndësishme është ajo çfarë është folur aty, se sa fotografitë që kanë bërë bujë.

 ‘’Për mua ndoshta nuk është dashur të bëhet për faktin se debatet, takimet, bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë janë zhvilluar gjatë gjithë këtyre viteve, për mua nuk është problem takimi, problem do të duhej të ishte bisedat dhe rezultatet e atyre takimeve, kjo do të ishte e rëndësishme edhe për njërën palë dhe palën tjetër, por jo vetëm fotografia”

NISMA ka arritur të kalojë pragun për të hyrë në Kuvend pas vendimeve të PZAP-së për të mos i përfshirë në rezultatin final votat e ardhura nga Serbia dhe rinumërimi e pjesës më të madhe të vendvotimeve.


(Kosova Sot Online)