Analisti i njohur numëron arsyet: Ja pse Kosova shkon në zgjedhje të reja

  • 10 December 2019 - 13:03
Analisti i njohur numëron arsyet: Ja pse Kosova shkon në zgjedhje të reja

“Dështimit i koalicionit LVV-LDK, dhe betimi në vija të kuqe, për të mos bërë koalicion me PDK-në, është një projekt i paramenduar mirë dhe me kohë nga kjo klasë politike, që të shkohet përsëri në zgjedhje të reja, për ta dështuar dhe vonuar edhe vazhdimin e dialogut me Serbinë që ka filluar të bëhet një temë e frikshme për politikanët e dobët të Kosovës, pavarësisht presionit të madh ndërkombëtar”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Krizën që shpërtheu mes Lëvizës Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për nënshkrimin e marrëveshjes për koalicion qeverisës, analistët politikë po e shohin si një pjesë të skenarit të mirë menduar, që do ta çojë vendin në zgjedhje të reja.

Një rrezik të tillë potencial e parasheh edhe analisti politik, Florim Zeqa, sipas të cilit skenari për dështim të formimit të qeverisë së re është bërë me kohë, kur partitë politike që dolën fituese të zgjedhjeve, paraprakisht garantuan elektoratin e tyre se në asnjë variant nuk bëjnë koalicion me ish qeveritarët e deri djeshëm, dhe opsioni i vetëm ka mbetur koalicioni LVV-LDK, që së fundi po futet në rrugë pa krye. E kur kësaj krize i shtohet edhe frika nga vazhdimi i dialogut me Serbinë, për shkak të marrëveshjes së “gatuar” nga Hashim Thaçi, atëherë situata bëhet edhe më konfuze.

Image
Florim Zeqa

“Pa dyshim qëllimi i skenaristëve të dështimit të koalicionit LVV-LDK është çuarja e sërishme vendit në zgjedhje. Por nuk duhet harruar se ndihmesë të madhe në realizimin e këtij skenari janë bërë vënia e vijave të kuqe njëra-tjetrës dhe mos profilizimi i partive politike. Dështimit i koalicionit LVV-LDK, dhe betimi në vija të kuqe, për të mos bërë koalicion me PDK-në, është një projekt i paramenduar mirë dhe me kohë nga kjo klasë politike, që të shkohet përsëri në zgjedhje të reja, për ta dështuar dhe vonuar edhe vazhdimin e dialogut me Serbinë që ka filluar të bëhet një temë e frikshme për politikanët e dobët të Kosovës, pavarësisht presionit të madh ndërkombëtar”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

“Një nga arsyet e fobisë nga dialogu me Serbinë është pikërisht frika e një marrëveshje të gatshme për shkëmbim territoresh mes Thaçit dhe Vuçiqit e cila mundë të nxirret përsëri të tavolinë dhe me të cilën mundë të sillen para aktit të kryer edhe negociatorët e qeverisë së re të cilët jo vetëm do të kuqeshin në këtë proces, do të merrnin targën e turpit dhe tradhtisë kombëtare”, shtoi Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”. 

Prandaj sipas tij, me dështimin e formimit të qeverisë së re dhe shkuarja në zgjedhje, do të përafronte kohën edhe me zgjedhjet e paralajmëruara për pranverën e hershme të vitit 2020 në Serbi, për çka vazhdimi i dialogut për arritjen e marrëveshjes do të futej në një rrugë të gjatë pa krye, deri në formimin e institucioneve të reja në shtetin serb.

“Me këtë dështim të koalicionit, dhe akuzat që po i bëjnë partitë politike fituese të zgjedhjeve, LVV dhe LDK, pretendojnë se do të fitojnë akoma më shumë vota në zgjedhjet që do të mundë të mbaheshin, pasi të ketë dështuar krijimi i institucioneve me zgjedhjet e 6 tetorit. Bazuar në këta parametra, konsiston edhe qëllimi i politikanëve të dobët të Kosovës për të blerë kohë sa më gjatë të jetë e mundur dhe për t'i ikur përballjes me aktin e kryer të dialogut final me Serbinë. Të gjitha obstruksionet dhe shantazhet politike që po i bëhen marrëveshjes politike për koalicionin qeverisës LVV-LDK, synim e kanë çuarjen e vendit në zgjedhje me shpresën e ndryshimit të kuotave numerike nga zgjedhjet e reja”, përfundoi analisti Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)