Ja kush e zbulon: Ky është skenari për dështimin e koalicionit VV-LDK

  • 10 December 2019 - 16:01
Ja kush e zbulon: Ky është skenari për dështimin e koalicionit VV-LDK

“Kjo situatë, do të ishte edhe një shans, dhe njëra nga mënyrat e mundshme për të blerë kohë pak më gjatë nga politikanët e dobët të Kosovës që të përballen më lehtë me një problem kaq madhor, ashtu siç nuk la hapësirë tjetër edhe zyrtari i lartë i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi, duke radhitur 10 pikat, për arritjen e marrëveshjes me LDK-në, përndryshe, në rast të dështimit të koalicionit, mbetet vetëm shkuarja në zgjedhje të reja të parakohshme”, tha Qarri për “Kosova Sot Online”.

Analistët politikë po e shohin thellimin e mosmarrëveshjeve mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për krijimin e qeverisë së re, si një skenar të mundshëm të ndërtuar qëllimisht për të provokuar edhe njëherë zgjedhje të reja, në mënyrë për ta zvarritur dialogun me Serbinë dhe zhvlerësuar marrëveshjen Thaçi-Vuçiq për shkëmbim territoresh, marrëveshje që mundë t’i vihet në tavolinë të bisedimeve edhe qeverisë së re të Kosovës, nëse ajo bëhet së shpejti nën presion e fuqishëm ndërkombëtar.

Kështu thotë për “Kosova Sot Online” edhe analisti politik, Gani Qarri.

Image
Gani Qarri

“Shpeshtimi i kërkesave të pareshtura për formimin e qeverisë së re, presioni i vazhdueshme për fillimin sa më par të bisedimeve me Serbinë, si dhe mundësia që marrëveshja e gatshme për shkëmbim territoresh, e cila dyshohet të jetë nënshkruar qysh në gushtin e vitit të kaluar ndërmjet kuislingut Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuqiqit në Alpbach të Austrisë, mundë të nxirret përsëri në tavolinë dhe sjellë para aktit të kryer edhe negociatorët e qeverisë së re, me të drejtë ka shkaktuar alarm të madh dhe futë frikë tek të gjithë qytetarët se Kosova mund të dal e dështuar në këtë proces, me ç`rast do të rrezikohej tërësia territoriale e saj dhe ekzistenca e mëtejme shtetit tonë të brishtë”, tha Gani Qarri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Qarrit, kjo aferë u vërtetua edhe në panelin e organizuar nga Forumi Evropian në fund-gusht të vitit 2018 në Alpbach të Austrisë.

“Ku dora e zgjatur e Vuçiqit në Kosovë, krye kuislingu i vendit, Hashim Thaçi, i cili mjerisht me këmbënguljen dhe imponimin e Isa Mustafës ndaj deputetëve të LDK-së, u emërua edhe i pari i shtetit të brishtë të Kosovës, u bëri thirrje publike edhe vendeve të rajonit, se nuk duhet të kenë frikë nga një marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për ndryshimin e kufijve, duke "siguruar" ato se edhe pas korrigjimit të kufijve, Kosova do të mbetet vend multi-etnik dhe do të vazhdojë të garantojë të drejtat e pakicave në vend, prandaj ky rrezik po ndihet edhe tani nga partitë politike që po negociojnë për partneritet qeverisës”.

“Problemi i imponimit të një marrëveshje për ndryshimin e kufijve të saj, për Kosovën është bërë shumë serioz dhe jo vetëm se mbetet dhe duhet të mbetet i papranueshëm, por mund të ketë prodhuar edhe skenarin e mundshëm të dështimit të koalicionit LVV-LDK, si dhe betimin në vija të kuqe, për të mos hyrë në koalicion me PDK-në, si projekt i paramenduar me kohë nga kjo klasë politike, që të mos pranohet ndarja e vendit dhe të shkohet përsëri në zgjedhje të reja, për ta dështuar dhe vonuar vazhdimin e një dialogu të tillë të dëmshëm me Serbinë i cili me të drejtë, ka filluar të bëhet një temë gjithnjë e më e frikshme për popullin dhe politikanët e dobët të Kosovës, pavarësisht presionit të madh ndërkombëtar. Madje pala kosovare ka shumë arsye t’i frikësohet këtij dialogu, pikërisht duke u nisur nga fakti se edhe emisarët e presidentit Trump, Palmer dhe Grenell, nuk e përjashtojnë mundësinë e diskutimit për ndryshim të kufijve si dhe frika e bazuar nga marrëveshja e gatshme renegate për shkëmbim territoresh mes Thaçit dhe Vuçiqit, e cila mundë të nxirret sërish në tavolinë dhe të sillen para aktit të kryer edhe negociatorët e qeverisë së re të cilët, jo vetëm se do të skuqeshin dhe dilnin të turpëruar, por edhe plotësisht të dështuar në këtë proces me fund të panjohur dhe shumë enigmatik”, shtoi analisti Qarri për “Kosova Sot Online”. 

Sipas tij, skenari për ta dështuar tani formimin e qeverisë së re të Kosovës, dhe shkuarjen në zgjedhje të reja ndërlidhet edhe me zhvillimet në SHBA me përpjekjet për shkarkimin e presidentit Trump, me çka do të ndryshonte edhe politika amerikane ndaj raporteve Kosovë-Serbi.

“Duke pasur parasysh faktin se me iniciativën për shkarkimin e presidentit Trump, nga demokratët në SHBA, për shkak të aferës së tij me presidentin e Ukrainës, edhe nëse nuk arrihet shkarkimi, rizgjedhja e tij në zgjedhjet e që po afrohen, mundë vihet seriozisht në pikëpyetje, me ç`rast do të ndryshonte për të mirë situata edhe për Kosovën, ndaj dështimi i formimit të qeverisë së re, dhe shkuarja në zgjedhje të reja, do të përafronte kohën edhe me zgjedhjet e paralajmëruara për pranverën e hershme të vitit 2020 në Serbi, dhe kështu vazhdimi i dialogut për arritjen e marrëveshjes do të futej në një rrugë të gjatë e pa krye, deri në formimin e institucioneve të reja në shtetin serb dhe ndryshimet e mundshme në presidencën e SHBA-s”, theksoi Qarri për “Kosova Sot Online”.

“Kjo situatë, do të ishte edhe një shans, dhe njëra nga mënyrat e mundshme për të blerë kohë pak më gjatë nga politikanët e dobët të Kosovës që të përballen më lehtë me një problem kaq madhor, ashtu siç nuk la hapësirë tjetër edhe zyrtari i lartë i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi, duke radhitur 10 pikat, për arritjen e marrëveshjes me LDK-në, përndryshe, në rast të dështimit të koalicionit, mbetet vetëm shkuarja në zgjedhje të reja të parakohshme”, përfundoi analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Gani Qarri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)