Isa Mustafa mbledh Kryesinë e LDK’së, diskutohet për koalicionin me VV’në

  • 14 December 2019 - 08:07
Isa Mustafa mbledh Kryesinë e LDK’së, diskutohet për koalicionin me VV’në

Lidhja Demokratike e Kosovës gjatë sot do të mbajë mbledhjen e Kryesisë.

LDK’ja ka njoftuar zyrtarisht se anëtarët e Kryesisë së saj do të tubohen të shtunën në selinë e LDK’së, në orën 11:00.

Nënkryetari i LDK’së, Agim Veliu, ka thënë se në mbledhjen e sotme do të diskutohen zhvillimet e fundit për arritjen e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Tema kryesore do të jetë ndërtimi i koalicionit të mundshëm”, ka thënë shkurtimisht Veliu për.

Veliu ka shtuar se takimet me Lëvizjen Vetëvendosje do të shtohen.

Takimi i djeshëm që zgjati rreth 2 orë mes kryetarit të VV’së, Albin Kurtit dhe atij të LDK’së, Isa Mustafa, nuk solli ndonjë rezultat konkret.

Të dyja palët janë dakorduar të takohen më shpesh deri në arritjen e një marrëveshjeje për koalicion qeverisës.

Media ka raportuar më herët, duke u thirrur në burimet e veta, se ajo që po e mban peng arritjen e një marrëveshjeje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për krijimin e qeverisë së re të vendit janë kërkesat e LDK’së, të cilat për VV’në konsiderohen maksimaliste.

Siç ka mësuar media , LDK’ja ka mbetur prapa kërkesave që t’i marrë dy poste të larta – atë të presidentit dhe të kryeparlamentarit, si dhe 5 ministri, aq sa edhe Vetëvendosje.

Partia e Albin Kurtit ndërkaq insiston që këto kërkesa janë maksimaliste, dhe se LDK’ja duhet të heqë dorë nga ky qëndrim. 

(Kosova Sot Online)