“Patatja e nxehtë”, kjo është sfida më e rëndë që e pret Albin Kurtin

  • 15 December 2019 - 07:39
“Patatja e nxehtë”, kjo është sfida më e rëndë që e pret Albin Kurtin

“Qeveria e re që pritet të formohet tani, pikë së pari kësaj duhet t'i kushtoj vëmendjen kryesore: vënien në funksionim të ligjit dhe të shtetit ligjor, në mënyrë që të filloj e të funksionoj drejtë dhe ligjërisht shteti dhe shoqëria kosovare. Pa vënien në funksionim të ligjit moral, të ligjit demokratik, nuk do të pritet ndryshimi i duhur për tërë sistemin dhe për shtetin e Kosovës. Aty ku dështon ligji, aty dështon demokracia dhe rrjedhimisht edhe shteti e sidomos qeverisja e pushteti. Këtë duhet ta ketë mirë parasysh qeveria në ardhje, qeveria Kurti”, tha Kapiti për “Kosova Sot Online”.

Në pritje të formimit të institucioneve të reja të Republikës së Kosovës, pas zgjedhjeve të 6 tetorit të kësaj vjeshte, analistët politikë dhe ekspertët e sundimit të ligjit konsiderojnë se lufta kundër krimit dhe korrupsionit, e pa fituar në mandatet e kaluara qeverisëse, po mbetet “patatja” më e nxehtë në duar të qeverisë së re të Kosovës.

Edhe sipas zyrtarëve të BE-së, korrupsioni në Kosovë vlerësohet se është shumë i përhapur dhe do të marrë kohë që të ndryshohet kjo dukuri.

Ky alarm i radhës nga zyrtarët e BE-së është dhënë të mërkurën në tryezën “Projekti kundër krimit ekonomik në Kosovë”, organizuar pikërisht nga Zyra e BE-së në bashkëpunim me Këshillin e Evropës, në kuadër të aktiviteteve të shumta që po mbahen në Kosovë me rastin e Javës kundër Korrupsionit.

Lidhur me këtë alarm që vjen tani për qeverinë në ardhje, për “Kosova Sot Online” ka folur edhe analisti dhe njohësi i fushës së drejtësisë, Skënder Kapiti, sipas të cilit, pikërisht korrupsioni është sfida më e rëndë që e pret qeverinë në ardhje.

Image
Skënder Kapiti

“Krimi i korrupsionit është sëmundja më e rëndë e cila ka paralizuar drejtësinë, ka asfiksuar funksionimin e shtetit dhe të demokracisë në Kosovë. Deri më sot demokracia, ligji, drejtësia dhe moraliteti e kanë humbur betejën me krimin e organizuar politiko-ekonomik, dhe me atë të krimit të organizuar të korrupsionit dhe të drejtësisë. Dhe kjo është arsyeje se përse kërkohet shumë kohë, energji dhe guxim i madh për ta ndryshuar kahen për në favor të sundimit të drejtësisë dhe të ligjit në Kosovë. Nuk mundë të ketë sukses asnjë projekt kundër krimit ekonomik në Kosovë , pa zbatimi e një projekti dhe strategjie të suksesshme kundër krimit politik dhe kundër krimit juridik së pari, pra, pa një dekriminalizim e ndëshkim si të politikës ashtu edhe të sistemit aktual të drejtësisë në Kosovë”, tha Skënder Kapiti për “Kosova Sot Online".

Sipas Kapitit, Kosova që nga ditët e para pas çlirimit dhe pas pavarësisë, ka pasur dhe ka si problemin më të madh drejtësinë.

“Ku gjendja e saj ka precipituar rëndë, në një gjendje anarkizmi , krimi, padrejtësie e korrupsioni e cila mban peng zhvillimin ekonomik, demokratik dhe integrimin e Kosovës në BE, prandaj me të drejtë mundë të thuhet se tani për qeverinë e re është një sfidë e madhe që duhet të zgjidhet”, deklaroi Kapiti.

“Qeveria e re që pritet të formohet tani, pikë së pari kësaj duhet t'i kushtoj vëmendjen kryesore: vënien në funksionim të ligjit dhe të shtetit ligjor, në mënyrë që të filloj e të funksionoj drejtë dhe ligjërisht shteti dhe shoqëria kosovare. Pa vënien në funksionim të ligjit moral, të ligjit demokratik, nuk do të pritet ndryshimi i duhur për tërë sistemin dhe për shtetin e Kosovës. Aty ku dështon ligji, aty dështon demokracia dhe rrjedhimisht edhe shteti e sidomos qeverisja e pushteti. Këtë duhet ta ketë mirë parasysh qeveria në ardhje, qeveria Kurti”, përfundoi Skënder Kapiti për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)