Kërkohet urgjentisht shkarkimi i Hashim Thaçit, ja arsyeja!

  • 15 December 2019 - 13:06
Kërkohet urgjentisht shkarkimi i Hashim Thaçit, ja arsyeja!

“Përkundër faktit se kjo deklaratë e ambasadorit amerikan Kosnet, ishte edhe një goditje e rëndë nga SHBA, kundër gënjeshtarit dhe tregtuesit matrapaz të tokave të Kosovës, Hashim Thaçit, përderisa ai, përkundër të gjithave, vazhdon ta mbajë të uzurpuar pozitën e të parit të shtetit e nuk shkarkohet dhe dërgohet urgjentisht në burg, ideja e këtij renegati të paprecedent për ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, ende nuk mund të konsiderohet e vdekur përfundimisht”, tha Qarri për “Kosova Sot Online”.

Pas deklaratës së Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, i cili ka mohuar që Uashingtoni zyrtar të ketë inkurajuar ndonjë ide për ndryshimin e kufijve të Republikës së Kosovës, kanë filluar të reagojnë ashpër analistët politikë në vend.

Analistët e konsiderojnë këtë deklaratë të Kosnetit, si distancim të hapur nga rruga që po e ndjek Hashim Thaçi në dëm të shtetit të Kosovës, prandaj ky distancim konsiderohet edhe një goditje e rëndë ndaj Hashim Thaçit nga SHBA-të.

Për këtë çështje, ka folur për “Kosova Sot Online” analisti politik, Gani Qarri, sipas të cilit ideja e shkëmbimit të territoreve nuk do të vdes dhe nuk do ta humbë peshën e vetë derisa Hashim Thaçi të vazhdojë të mbetet ne pozitën e presidentit të vendit.

Image
Gani Qarri

“Figura të dyshimta politike të cilët rastësia, fatkeqësia kadrovike dhe mungesa e politikanëve të aftë, largpamës e burrështetas të njëmendtë, i katapultoi në krye të shtetit të Kosovës, si krye kuislingun Hashim Thaçi, sot më tepër se kurrë, po vërtetohet publikisht se që nga fillimi i bisedimeve të ashtuquajtura gjoja "teknike", i krijuan avantazhe aq të pariparueshme Serbisë, sa që pothuajse përsëri e futën Kosovën nën vasalitetin total të këtij shteti okupator, duke rrezikuar vendin me ndarje dhe shuarjen e tërësishme të shtetit tonë të brishtë. Madje se pikërisht vetë krye kuislingu Hashim Thaçi ishte strumbullari i të gjitha të këqijave që tash e një dekadë po i shkaktohen Kosovës, e dëshmoi këto ditë edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, i cili deklaroi publikisht se Uashingtoni zyrtar dhe Qeveria amerikane, asnjëherë nuk e kanë përkrahë idenë për ndryshimin e kufijve të Republikës së Kosovës dhe kurrë nuk kanë inkurajuar një rishikim të kufijve apo siç e kanë quajtur disa, ndarje”, ka thënë Qarri për “Kosova Sot Online “. 

Ndaj, sipas Qarrit, nuk do mend se ky është edhe një demaskim i hapur publik që po i bëhet drejtpërsëdrejti Hashim Thaçit, i cili pa fije turpi gënjente publikisht dhe proklamonte rrejshëm se kinse edhe SHBA e mbështet ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

“E për ta shpëtuar vendin sigurt nga opsioni i ndarjes, projekt ky i treshes Thaçi- Vuqiq-Rama, Kuvendi i Kosovës duhet ta shkarkon atë, dhe njëherësh drejtësia ta thotë fjalën e vetë duke e dënuar për tradhti kombëtare dhe burgosur atë. Përkundër faktit se kjo deklaratë e Ambasadorit Amerikan Kosnet, ishte edhe një goditje e rëndë nga SHBA, kundër gënjeshtarit dhe tregtuesit matrapaz të tokave të Kosovës, Hashim Thaçit, përderisa ai, përkundër të gjithave, vazhdon ta mbajë të uzurpuar pozitën e të parit të shtetit e nuk shkarkohet dhe dërgohet urgjentisht në burg, ideja e këtij renegati të paprecedent për ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, ende nuk mund të konsiderohet e vdekur përfundimisht dhe deklarata e z. Kossnet,mbetet vetëm një “shuplakë” e radhës ndaj krye kuislingut të pështirë Hashim Thaçit, siç mbetet ai rrezik i përhershëm për Kosovën, përderisa të ketë qasje në pushtet”, deklaroi analisti politik, Gani Qarri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)