Mbi 600 mjekë francezë kërcënojnë me dorëheqje nëse s’rriten fondet për shëndetësi

  • 16 December 2019 - 12:07
Mbi 600 mjekë francezë kërcënojnë me dorëheqje nëse s’rriten fondet për shëndetësi

Më shumë se 600 mjekë francezë kanë kërcënuar se do të japin dorëheqje nga vendet e tyre të punës, nëse qeveria nuk i rrit fondet për shëndetësi. Punëtorët e këtij sektori kanë paralajmëruar edhe protesta në rrugë gjatë kësaj jave.

Mjekët kanë paralajmëruar se shkurtimi i buxhetit, largimi i shtretërve nga përdorimi dhe zvogëlimi i stafit mjekësor janë duke e sjellë sistemin shëndetësor të Francës pranë kolapsit dhe duke e vënë në rrezik jetën e pacientëve.

“Spitalet publike në Francë po vdesin”, thuhet në letrën e hapur të 600 mjekëve nga të gjitha rajonet e këtij shteti. Sipas tyre, pakësimi i mjeteve financiare është duke e rrezikuar sigurinë e pacientëve në atë që dikur vlerësohej si njëri prej sistemeve më të mira të kujdesit shëndetësor në botë.

Mjekët francezë po bëjnë thirrje për bisedime urgjente me qeverinë pas nëntë muajve të grevave të kohëpaskohshme në spitale. Grevat kishin nisur në muajin mars në dhomat e emergjencës dhe tashmë janë shpërndarë në departamente të tjera, duke nisur nga pediatria deri te psikiatria. Grevës së voni i janë bashkuar edhe mjekët e rinj dhe fundi i saj nuk po shihet askund.

Punëtorët e këtij sektori publik kanë paralajmëruar protestë për të martën. Grevat e gjata në sistemin shëndetësor po paraqesin problem të madh për presidentin Emmanuel Macron, i cili tashmë po përballet edhe me pakënaqësitë e punëtorëve të hekurudhave.

Muajin e kaluar, kreu i shtetit Francez e premtoi një rritje të fondeve për spitalet dhe bonuset e stafit, por ajo u refuzua nga mjekët, të cilët e cilësuan atë si të pamjaftueshme, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)