Zgjedhjet përfunduan, por ‘shpërthejnë’ akuza të rënda ndaj KQZ-së

  • 17 December 2019 - 07:43
Zgjedhjet përfunduan, por ‘shpërthejnë’ akuza të rënda ndaj KQZ-së

“KQZ-ja ka qenë dhe është në teh të akuzave të tërë popullit tonë, e sidomos të kandidatëve të paraqitur në zgjedhje. Ata akuzohen se kanë krijuar vjedhjet e votave, blerjet dhe manovrimet e ndryshme në llogari të interesave të ndryshme, pikërisht të përfaqësimit jo adekuat në Kuvend”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë arriti t’i publikojë me shpejtësi të madhe raportet e shpenzimit të partive politike për fushatën e zgjedhjeve të 6 tetorit, ndërkohë që akoma nuk po e bënë publik raportin e shpenzimit të buxhetit nga ana e KQZ-së për organizimin e zgjedhjeve, ku mbi 6 milionë euro i ishin ndarë nga qeveria e Kosovës.

Pas vlerësimit pozitiv për publikimin e shpenzimeve të partive politike, analistët dhe ekspertët e së drejtës, po e kritikojnë KQZ-në për shkak të fshehjes së raportit me shpenzimet që ky institucion ka bërë në organizimin e procesit zgjedhor, e që me stërzgjatje e tij pas ditës së zgjedhjeve me rinumërime të votave, dyshohet që shuma e lejuar prej 6 milionësh edhe të jetë tejkaluar.

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi vlerëson se KQZ-ja në këtë proces të organizimit dhe të menaxhimit të zgjedhjeve, ka marr notën më të dobët të mundshme nga opinioni publik.

Image
Muhamet Kelmendi

“Për shkak të lojërave që u luajtën një kohë të gjatë me votat, dhe përveç dështimit të madh, ka dyshime që edhe janë abuzuar skajshmërisht mjetet e ndara për menaxhimin më të mirë të procesit zgjedhor, mbikëqyrjes, ruajtjes së pacenueshmërisë së votës se secilit kandidat dhe bërjes transparente të të gjitha zhvillimeve më interes edhe për kandidatët që kanë konkurruar në zgjedhje por edhe për qytetarët, për votën e tyre”, tha Kelmendi.

Sipas tij, KQZ-ja ka qenë dhe është në teh të akuzave të tërë popullit tonë, e sidomos të kandidatëve të paraqitur në zgjedhje.

“Ata akuzohen se kanë krijuar vjedhjet e votave, blerjet dhe manovrimet e ndryshme në llogari të interesave të ndryshme, pikërisht të përfaqësimit jo adekuat në Kuvend. Vjedhjet dhe blerjet e votave janë bërë më së shumti brenda partisë nga kandidatët matrapaz që tash janë deputet në Kuvend. I gjithë ky sistem i vjedhjeve ka kushtuar shumë me mjete dhe me para. KQZ akuzohet se ka bërë shpenzime të mëdha, sepse ka lejuar vjedhjet dhe çrregullimet e ndryshme të cilat ju kanë kushtuar taksapagueseve të Kosovës shumë shtrenjtë. Votat u numëruan dhe u rinumëruan disa herë. Ato kushtojnë në kohë dhe në mjete, dhe kjo nuk ka ndodhur rastësisht”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Shuma e përcaktuar e buxhetit për zgjedhjet, sipas Kelmendit i kushtoi shumë vendit, pasi ajo shumë marramendëse prej 6 milionësh, tërësisht u vendos në një punë një mujore pas zgjedhjeve për dallavere të ndryshme.

“E tash na thuhet se nuk ka kosto të lartë buxhetore dhe se ajo nuk është përllogaritur akoma. Kjo është marri. Kostoja ka kaluar shumë herë planifikimin e përcaktuar. Ndërsa, tash paraqiten shpenzimet e partive vetëm e vetëm që KQZ-ja ta largon vëmendjen e opinionit publik, ti largon akuzat nga vetja, si për lejim të vjedhjeve të votave, ashtu edhe të shpenzimeve marramendëse që i ka bërë. Në fakt është vetë KQZ-ja subjekt që duhet të hetohet nga Prokuroria e Kosovës për aktivitetin kriminal që e ka kryer apo e ka lejuar sistematikisht”, shtoi Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Përveç abuzimit me buxhetin, sipas Kelmendit KQZ ka shkelur edhe ligjet e Kosovës dhe Kushtetutën me rastin e pranimit dhe certifikimit të listave zgjedhore.

"Janë këto baza të tjera për hetim nga e prokurorisë së shtetit: 1. Aktiviteti i lejimit të kriminelëve që të paraqiten në listat e kandidatëve në zgjedhjet e bëra. 2. KQZ-ja ka parë se për çdo ditë shumë kandidat po kryejnë vepra penale me blerje dhe matrapazllëqe tjera dhe i ka lejuar të ndodhin ato. 3. KQZ ka lejuar subjektin më kriminal të merr pjesë në zgjedhje, Listën Serbe dhe kandidatët neofashist serbe . 4. KQZ duke I lejuar vjedhjet e votave nga partia në parti, nga kandidatët e një partie, ndonëse e ka ditur këtë, ka kryer krim ndaj zgjedhjeve të lira në Kosovë. 5. Duke e lejuar këtë, KQZ i ka kushtuar edhe buxhetit të Kosovës në miliona Euro më shtrenjtë, se sa është përcaktuar”, theksoi profesor Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, kur janë në pyetje të gjitha këto mënyra të shkeljes së ligjit dhe të abuzimit, askush nuk beson se rinumërimi i votave kinse nuk ka kushtuar me kosto shtesë, kur dihet edhe qëllimi i skenarit të këtij rinumërimi.

“E megjithatë, ky rinumërim pati kosto dhe e solli vetëm NISMEN në Kuvend. Ndryshe dihet që KQZ-ja nuk deshi ta përmirësoj strukturën brenda kandidatëve të partive politike për deputet. Madje ato vjedhje dhe krime as që u shqyrtuan, prandaj tash kemi deputet që janë Kuvend vetëm falë vjedhjes së madhe të votave. Kjo më së miri shihet nëse shikohen dhe analizohen listat e kandidatëve brenda partive politike, manovrimet e bëra dhe krimi i bërë me blerje te votave. E tërë kjo situatë e ka vu QZ-në në gjendje të rëndë që tash po përpiqet për ta mbuluar me gjëra të tjera, në mënyrë që të mbulohen shpenzimet dhe krimi ndaj votës si dhe përgjegjësia personale e zonjës Valdete Daka me të tjerët ndaj mos zbatimit të ligjit”, përfundoi Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)