2019 po mbyllet pa viza, kishte shumë premtime

  • 17 December 2019 - 08:05
2019 po mbyllet pa viza, kishte shumë premtime

11 vite shtet i pavarur, por qytetarët e Kosovës ende nuk mund të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së.

Shumë premtime për viza u dhanë, por deri sot nuk pati rezultate pozitive në këtë drejtim.

Përkundër këtyre dështimeve me vizat, kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj edhe sot ka dhënë një datë tjetër për liberalizim.

Haradinaj sot tha se vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet të ndodhë vetëm në pranverë të vitit të ardhshëm dhe jo këtë vit siç kishte paralajmëruar.

Sipas tij, shtyrjes së datës për liberalizim i ka kontribuar Vetëvendosja dhe LDK-ja të cilat po i zvarritin procesin e ndërtimit të institucioneve të reja të dala pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Premtime të tilla Haradinaj kishte dhënë qysh në vitin 2017 gjatë fushatës parazgjedhore, ku pati thënë se nën qeverisjen e tij liberalizimi i vizave do të ndodhë për 90 ditë.

“Unë nuk shoh periudhë më të gjatë se tre muaj nga momenti i nisjes së punës në Qeveri për liberalizim të vizave me BE-në”, kishte thënë Haradinaj.

Ai shkeli edhe parimet e tij mbi të cilat kishte kërkuar votën në zgjedhjet e kaluara, duke e votuar demarkacionin me Malin e Zi, ku në një kohë thoshte se me atë po i bëhet padrejtësi Kosovës.

Votimin e Demarkacionit, Haradinaj e përdori si arsyetim për liberalizimin e vizave, mirëpo ato nuk ndodhën.

Një deklaratë tjetër për heqjen e vizave Haradinaj e dha edhe më 23 mars 2018.

“Liberalizimi i vizave ka ndodhur, ka ndodhur pardje”, deklaroi i bindur në fjalët e veta Haradinaj, mirëpo as kjo prognozë e kryeministrit në detyrë nuk doli të jetë e saktë.

Një tjetër lajm se vizat u liberalizuan Haradinaj e dha edhe në maj të këtij viti, gjatë një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë ai tha se në Berlin ka marrë mbështetje nga Gjermania për liberalizimin e vizave.

“Seehofer na ka pritur në oborr dhe rrugës për në takim në ka konfirmuar këtë qëndrim: na ka thënë “po” për vizat”, kishte deklaruar Haradinaj.

“Nuk është po e analizave dhe mendimeve por e njeriut në detyrë – ministër i Brendshëm. Na ka thënë po menjëherë. Kosovë urime liberalizimi i vizave”, kishte  thënë tutje  Haradinaj.

Ndërsa pas kësaj deklarate, në qershor ai tha se gjasat janë shumë reale, që vendimi për vizat të merret në shtator.

“Ka gjasa reale, mundësitë janë shumë reale që do të merret vendimi në shtator. Nuk do të kishte logjikë që këshilli i ministrave të na vonojë më shumë këtë vendim” kishte deklaruar Haradinaj.

Ndërsa në nëntor të këtij viti, Haradinaj ka thënë se presin zhvillime pozitive në dhjetor për liberalizimin. Hyrja në fuqi e vendimit mund të vonohet ndonjë javë por jo me muaj kishte deklaruar ai.

“Pra një pjesë e punës mund të ndodh edhe tani në fund të nëntorit. Presim zhvillime pozitive në dhjetor për liberalizimin. Hyrja në fuqi e vendimit mund të vonohet ndonjë javë por jo me muaj, po presim seriozisht që të ndodh. Kemi merita që i kemi përmbyll krejt kriteret por kemi edhe faj që ende nuk e kemi liberalizimin e vizave”, kishte deklaruar Haradinaj.

Që nga koha kur Haradinaj e ka bërë këtë premtim, e deri tani  kur edhe ka rënë Qeveria e tij, qytetarët e Kosovës nuk i janë gëzuar këtij premtimi.

Ndërkohë opozita në Kosovë e kishe kritikuar shumë herë Haradinajn, duke e quajtur qeveri të kaosit, e zhvatjes së buxhetit, e izolimit të lidershipit të Kosovës, e dështimit të diplomacisë dhe çnjohjeve për shtetin e Kosovës.

(Kosova Sot Online)