Eksperienca e gjermanëve, thonë se VV e LDK do të bëjnë marrëveshje natën e fundit

  • 19 December 2019 - 15:47
Eksperienca e gjermanëve, thonë se VV e LDK do të bëjnë marrëveshje natën e fundit

Dy deputetët gjermanë Christian Schmidt dhe Peter Beyer  të cilët në Kosovë përdorën edhe emrin e kancelares Angela Merkel për t’i nxitur Vetëvendosjen dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës që përfundimisht të pajtohen për krijimin e qeverisë u kujdesën që veçmas t’i çojnë porosi LDK’së si parti partnere  që të heq dorë nga posti i presidentit pasi tash është koha vetëm për krijimin e Qeverisë. Sidoqoftë parlamentari gjerman tha se nga përvoja e di se VV e LDK do ta presin natën e fundit, pra para 26 dhjetorit, për ta arritur marrëveshjen. 

Përveç kërkesës së LDK’së që të përfshihet edhe posti i presidentit në një marrëveshje të mundshme për bashkëqeverisje me VV’në, përpjekjet për arritjen e një koalicioni Mustafa-Kurti shpesh herë i kanë vështirësuar edhe intervistat dhe reagimet nëpër rrjete sociale të zyrtarëve të ndryshëm nga dy taboret, ku zbulonin detaje të brendshme nga negociatat që zhvilloheshin në tryezë.

E gjithë kjo ka bërë që dy palët të barrikadohen në pozicionet e tyre, ndërkohë Kosova vazhdon të jetë pa qeveri të re edhe përkundër faktit që kanë kaluar më shumë se 2 muaj nga mbajtja e zgjedhjeve.

Qasja e dy partive nuk ka ndryshuar edhe përkundër faktit se presidenti Hashim Thaçi ka caktuar 26 dhjetorin si datë kur do të konstituohet Kuvendi, duke vendosur kështu edhe një limit se deri kur LDK dhe VV mund të negociojnë për të shkuar në Kuvend si koalicion i përbashkët.

Duke parë këtë situatë, në Kosovë dje kanë zbarkuar dy deputetë që përfaqësojnë koalicionin qeverisës në Gjermani CDU/CSU. Christian Schmidt nga CSU dhe Peter Beyer nga CDU kanë takuar mbrëmë liderin e VV’së, Albin Kurtin, sot kanë takuar krerët e LDK’së, dhe nga ambasada gjermane në Prishtinë kanë mbajtur një konferencë për media, prej ku kanë dhënë mesazhe shumë të qarta.

Deputeti i CSU-së, Christian Schmidt, ka qenë shumë i prerë në qëndrime. Si një njeri me përvojë shumë të gjatë të arritjes së koalicioneve për bashkëqeverisje në Gjermani, Schmidt ka thënë se gjatë kohës sa zhvillohen negociata ekziston një rregull i artë, i cili mbase s’mund t’iu pëlqejë gazetarëve.

Sipas tij palët që negociojnë duhet të qëndrojnë sa më larg mikrofonit dhe të përdorin telefonin më së shumti.

“Kurti duhet ta dijë një rregull meqë po qëndron në Vatikan. Njerëzit që janë të mbyllur në konklavë, nuk duhet të flasin derisa të dalë tymi i bardhë”, ka thënë Schmidt.

Schmidt përveç tjerash ka thënë se aktualisht nuk është koha kur duhet të flitet për zgjedhjen e presidentit, por për krijimin e qeverisë së re. Një deklaratë të tillë e ka mbështetur prerë edhe deputeti i CDU’së, Peter Beyer.

“Tash për tash nuk është koha që të zgjidhet presidenti por të formohet qeveria”, është shprehur Schmidt.

Ndaj kësaj ka reaguar edhe Peter Beyer duke e aprovuar me fjalën “saktësisht”.

Schmidt gjithashtu ka dhënë një porosi për të dy palët që të krijojnë një qeveri stabile dhe të mos bëjnë lojëra taktike. Po ashtu mysafirët gjermanë kanë përmendur edhe vështirësitë e Spanjës për krijimin e Qeverisë.

“ Modeli Spanjoll nuk është për t’u imituar” ka shtuar Schmidt duke iu referuar krizës politike spanjolle e cila spo mund të krijojë qeveri tash e 235 ditë nga zgjedhjet. 

“Për një vend që sapo ka dalë nga zgjedhjet parlamentare, është e rëndësishme që të ketë një qeveri stabile dhe të mos ketë lojëra taktike. Modeli spanjoll nuk është për tu imituar”, ka thënë ai.

Tutje deputeti nga radhët e CSU-së Schmidt ka cituar edhe një thënie të ish-kancelarit gjerman, Helmut Kohl, duke iu bërë me dije palëve që të kenë besim tek njëra-tjetra.

“Helmut Kohl na ka mësuar që më e rëndësishme në politikë është që të kihet besim dhe përgjegjësi”, është shprehur Schmidt.

Në fund të fjalës së tij, Schmidt ka cituar gjithashtu edhe shkrimtarin e famshëm gjerman, Erich Kästner, lidhur me politikën.

“ Kastner, na ka lënë neve politikanëve një thënie: Nuk ka më mirë sesa të bëhet gjëja e duhur”, citon Schmidt.

Mesazhe të rëndësishme për dy palët ka dhënë edhe deputeti i partisë së kancelares, Angela Merkel, Peter Beyer.

Ai ka thënë se negociatat nuk duhet të dështojnë për çështje teknike. Megjithatë Beyer ka thënë se nuk janë në Kosovë për të ndërhyrë brenda negociatave mes dy partive.

“Kur e them këtë, koha ka shumë rëndësi. 26 dhjetori ka vendosur një limit kohor. Ajo çfarë ne po bëjmë është që nuk po ndërhyjmë brenda negociatave të koalicionit, nuk është qëllimi ynë. Por erdhëm për të dëgjuar rreth bisedimeve që po bëhen. Një gjë që duhet kuptuar që negociatat për koalicion kanë mbërritur një pikë, që të gjithë duhet kuptuar që nuk duhet humbur kohë me detaje teknike. Duhet shikuar në sy njeri tjetrin, pasi që besimi është esenca. Duhet besuar njëri tjetrin dhe nuk duhet humbur në detaje teknike. Koalicioni ka ardhur në një pikë që ata nuk duhet të prishin këtë vullnet në detaje teknike”, ka thënë Beyer.

Beyer gjithashtu ka ftuar palët që të relaksohen dhe të thërrasin një takim për të arritur koalicionin dhe të mos komunikojnë përmes mediave.

“Pritjet tona janë që askush nuk duhet të provojë të ndajë palët për të ndërtuar qeverinë. Ky është mesazhi. Gjithashtu pritjet tona janë, që palët te jenë të relaksuara, të mos flasim për media, por të thërrasin njëra tjetrën në telefon dhe të caktojnë një takim”, ka potencuar tutje Beyer.

Dy deputet në Kosovë kanë ardhur me kërkesë të ish-Presidentit të Këshillit Evropian, Donald Tusk, dhe gjithashtu kacnelares, Angela Merkel.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar Schmidt në fillim të bisedës, duke thënë se pasi të kthehen në Gjermani do t’i raportojnë edhe kancelares Merkel, pasi që ajo është shumë e interesuar për zhvillimet në Kosovës. Sido që të jetë Schmidt i cili ka përvojë në Gjermani pasi deri ta kanë qenë pjesë e lidhjes së 4 koalicioneve atje, ka thënë se LDK dhe VV do të negociojnë deri në komentin e fundit.

“Eksperienca ime është se kjo (marrëveshja) është e rezervuar për natën e fundit” ka thënë Schmidt.

(Kosova Sot Online)