Zhvillimet dramatike Vetëvendosje-LDK, ja pse do të ndërhyjnë ndërkombëtarët

  • 31 December 2019 - 13:59
Zhvillimet dramatike Vetëvendosje-LDK, ja pse do të ndërhyjnë ndërkombëtarët

“Ndërkombëtarët vazhdimisht kanë apeluar që të formohet Qeveria. Ata po ashtu kanë bërë me dije që këto zgjedhje nuk u mbajtën për ta zgjedhur presidentin. Nëse vazhdohet me inate dhe betonime, do të kemi ndërhyrje nga ata për krijimin e Qeverisë. Bashkësia Ndërkombëtare nuk është e interesuar që të ketë një Qeveri të PAN-it, dhe as një përzierje të Qeverisë në mes të LDK-se dhe PAN-it apo disa partive nga ai koalicion, sepse presidenti Thaçi mund të bëjë ndonjë blof kushtetues dhe krijimin e Qeverise të ja besoj në mënyre antikushtetuese partisë tjetër që gjoja i siguron 61 vota për krijimin e Qeverisë. Standarde të dyfishta”, thotë analisti politik, Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Duke parë zhvillimet që po e përcjellin procesin e formimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 6 tetorit, fillimisht me një zvarritje të gjatë të numërimit dhe rinumërimit të votave deri në certifikim dhe tani krizën për koalicionin qeverisës mes Vetëvendosjes dhe LDK-së, analistët politikë nuk e shohin të mundur krijimin e qeverisë në bazë të vullnetit serioz politik dhe mirëbesimit, pa ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar.

Këtë lloj skenari e sheh si mundësi reale edhe analisti politik, Faik Krasniqi, sipas të cilit, edhe një qeveri e tillë zor se do të jetë sa duhet stabile dhe funksionale.

Krasniqi thotë për “Kosova Sot Online“ se në bisedimet mes LVV-së dhe LDK-së për koalicion qeverisës, është luajtur loja e shantazhit, duke e bërë pjesë të marrëveshjes për koalicion edhe pozitën e të parit të shtetit, i cili duhet të zgjidhet pas një viti e në muajsh.

Image
Faik Krasniqi

“Nuk e kuptoj pse janë kapur për postin e presidentit kur nuk është në dorën e këtij koalicioni zgjedhja e tij, sepse nuk i kanë votat e mjaftueshme as për ta zgjedhur e as për kuorum. LDK-ja në njërën anë kërkon zotim nga LVV që do ta përkrah kandidaturën për postin e presidentit pa emër, kurse në anën tjetër e shantazhon që vendi shkon në zgjedhje në rast se presidenti nga ana e LDK-së dështon t'i marrë votat e mjaftueshme për t'u bërë deputet. Kjo është një thikë me dy tehe. I bie sigurt që jetëgjatësia e këtij koalicioni është vetëm një vit e një muaj. Kosovës nuk i duhet një qeveri e tillë. Po ashtu edhe posti i ministrit të brendshëm”, thotë Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, kundër pazareve për pozitën e Presidentit janë deklaruar edhe ndërkombëtarët, të cilët nuk duan formacion tjetër të qeverisjes që e sjell një PAN të ri, por insistojnë në një koalicion qeverisës vetëm në mes të LVV-së dhe LDK-së.

“Prandaj ndërhyrja e tyre mundë të jetë çështje ditësh dhe orësh, sepse nuk duan të lejojnë që vendi të futet në krizë, rrugë pa krye ose të rikthehet PAN-i në një kombinim të ri qeverisës. Ndërkombëtarët vazhdimisht kanë apeluar që të formohet Qeveria. Ata po ashtu kanë bërë me dije që këto zgjedhje nuk u mbajtën për ta zgjedhur presidentin. Nëse vazhdohet me inate dhe betonime, do të kemi ndërhyrje nga ata për krijimin e Qeverisë. Bashkësia Ndërkombëtare nuk është e interesuar që të ketë një Qeveri të PAN-it, dhe as një përzierje të Qeverisë në mes të LDK-se dhe PAN-it apo disa partive nga ai koalicion, sepse presidenti Thaçi mund të bëjë ndonjë blof kushtetues dhe krijimin e Qeverise të ja besoj në mënyre antikushtetuese partisë tjetër që gjoja i siguron 61 vota për krijimin e Qeverisë. Standarde të dyfishta”, shton analisti politik, Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Ai ka rikujtuar se në vitin 2014, ishte antikushtetuese një gjë e tillë, por në 2020 edhe mundë të manipulohet dhe të bëhet në pajtueshmëri të plotë me Kushtetutën.

“Zhvillimet po tregojnë që egoja për pushtet është tepër e madhe, prandaj është vështirë që politika e inkriminuar të nxirret jashtë loje, sepse është edhe një masë e madhe e qytetarëve akoma nuk janë vetëdijesuar dhe po i japin vota politikës së inkriminuar që po mban peng të ardhmen e shtetit. Kam thënë dhe po e përsërisë prapë. Kjo klasë politike që e kanë shijuar pushtetin nuk e duan ndryshimin për shkak të të bëmave të tyre, por edhe për shkak të pangopësisë të tyre për ta zhvatur shtetin. Por as rreth 75 përqind e popullatës që kanë votuar partitë zhvatëse”, përfundon Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)