Zbulohet prapaskena kriminale, akuza: Kështu Pacolli dhe Devollët po e zhvatin Kosovën

  • 06 January 2020 - 07:36
Zbulohet prapaskena kriminale, akuza: Kështu Pacolli dhe Devollët po e zhvatin Kosovën

“Tash e kemi edhe këtë tentativën e dytë nga Devollët me arbitrazh kundër Valës, dhe unë mendoj se prapa këtij skenari qëndron politika e cila ka kohë që e ka kapur kriminalisht shtetin, po e sundon dhe nuk po e qeverisë këtë vend dhe këtë popull, dhe që duke sunduar e duke plaçkitur e ka në plan që ta pasurohet sa më shumë kjo politikë kriminale, sepse këta mendojnë se vetëm duke u pasuruar më shumë, e kanë edhe jetëgjatësinë më të madhe ne politikë”, thotë profesor, doktor Jeton Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Kosova rrezikon të humbasë miliona euro në rastet e arbitrazheve ndërkombëtare. Deri tani, katër kompani e kanë paditur Republikën e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, derisa edhe dy të tjera po e paralajmërojnë një gjë të tillë, ku vlera e këtyre padive shkon në rreth 200 milionë euro.

E në mesin e padive në arbitrazh është edhe ajo nga Devollët, ku kompania e Blerim Devollit e ka dërguar përsëri në Arbitrazh Telekomin, ku tash sipas analistëve, në orkestrim me politikën e inkriminuar, ka planifikuar t’i zhvatë edhe në arbitrazhin e dytë, rreth 15 milionë dollarë. Padi përmes arbitrazhit ka bërë edhe Ministri i Jashtëm i Kosovës, krahu i djathtë i Hashim Thaçit, e që është Behgjet Pacolli.

Analistët politikë theksojnë se të dyja këto raste së bashku, janë një alarm serioz për Kosovën, pasi është vetë politika ajo që po e zhvatë dhe po e shkatërron shtetin nga brenda.

Pra sipas analistëve, janë pikërisht politikanët e nivelit të lartë, të lidhur me Devollët dhe me Pacollin, një politikë e tej inkriminuar, që në mënyrë të orkestruar po punojnë që ta zhvatin me letra edhe më shumë Kosovën.

Për këtë prapaskenë kriminale, për ‘Kosova Sot Online” ka folur profesori i njohur, Jeton Kelmendi.

Sipas Kelmendit, të dyja këto raste janë edhe skandal tjetër, ku në vend se të dënohen Devollët dhe Pacolli, ata po kërcënojnë dhe po sfidojnë shtetin e Kosovës.

Madje Kelmendi mendon se prapa Devollëve qëndrojnë të fortit e politikës, derisa edhe padia e Pacollit është dëshmi tjetër se si zgjidhen mënyrat për të zhvatur shtetin përmes arbitrazhit.

Image
Jeton Kelmendi

“Mendoj që arbitrazhi është një dukuri që po e përdorin njerëzit e biznesit, gjegjësisht të politikës, pra këta të fortit, të cilët po i nxjerrin kompanitë shtetërore dhe publike, pra në arbitrazh, në përgjithësi po i nxjerrin që ta plaçkitin përmes kësaj forme Kosovën. Këtë po e bëjnë duke mos zgjedhur forma dhe mjete se si ta plaçkitin këtë vend. Fillimisht ajo që kanë bërë Devollët është në përmasa të një turpi kombëtar, të cilët formuan një kompani virtuale në kuadër të operatorit, kompanisë Vala, të quajtur Z-Mobile, e pastaj edhe ju hakmorën Valës duke e dënuar me dhjetëra miliona euro. Tash e kemi edhe këtë tentativën e dytë nga Devollët me arbitrazh kundër Valës, dhe unë mendoj se prapa këtij skenari qëndron politika e cila ka kohë që e ka kapur kriminalisht shtetin, po e sundon dhe nuk po e qeverisë këtë vend dhe këtë popull, dhe që duke sunduar e duke plaçkitur e ka në plan që ta pasurohet sa më shumë kjo politikë kriminale, sepse këta mendojnë se vetëm duke u pasuruar më shumë, e kanë edhe jetëgjatësinë më të madhe ne politikë. Në këtë valle për fat të keq është futur edhe vetë zëvendëskryeministri dhe ministri i jashtëm Behxhet Pacolli”, thotë Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

E për ta arritur qëllimin final të ekzekutimit të vendimeve të arbitrazhit, Kelmendi ka kujtuar se kjo politikë kriminale ka shpikur edhe sistemin e përmbarimit, përmes përmbaruesve privat.

“Kësisoj në shërbim të arbitrazhit shkojnë tani edhe përmbaruesit, sepse kështu bëhet përmes tyre plaçkitja nga çdo nivel i shtetit, duke filluar nga komuna dhe nga cilido institucion ndaj të cilit qytetari nuk arrin të paguaj me rregull obligimet e tij, dhe pastaj aty del përmbaruesi që dhunshëm e ekzekuton marrjen e borxhit, e ekzekuton vendimin dhe natyrisht që ia siguron atij marrjen, përfitimin e pjesës së vetë të fitimit dhe pjesën tjetër e marrin zyrtarët e larët të politikës dhe të shtetit, nëpërmes kësaj forme të plaçkitjes”, shton Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, Kosova është vend model i plaçkitjes legale nga politika përmes formave që vetë i ka ndërtuar, prandaj ka edhe zhgënjim dhe humbje shprese te qytetarët të cilët pa ndalë, në heshtje nuk po zgjedhin rrugë e mjete që të largohen nga vendi.

“Kjo po ndodhë sepse Kosova vidhet pikërisht nga ata të cilët janë të thirrur kinse ta drejtojnë atë, vidhet nga udhëheqësit politik, sepse përndryshe nuk do të mundë të vidhej. Pra është një taktikë e menduar mirë që duke vjedhur të pasurohen dhe arbitrazhi është vetëm njëra formë, dëshmi që flet se ky shtet e ka vështirë të ecën përpara pasi q drejtësia nuk funksionon as në minimumin e saj për ta mbrojtur shtetin dhe kjo u dëshmua edhe me rastin e gjykimit të turpshëm i cili një ditë më parë i liron njerëzit e kapur me prova absolute të qarta dhe të pa diskutueshme, e këta ishin të akuzuarit në rastin e njohur Pronto”, shton jeton Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Për ta çliruar këtë vend dhe këtë popull nga kjo kapje e madhe kriminale, sipas Kelmendit kërkohen ndryshime të mëdha në politikë, e që populli i kishte shpresat duke ju dhënë rastin për ndryshime LVV-së dhe LDK-së, por që tani po duket se edhe këto dy subjekte janë të sunduara nga rrjetet kriminale tepër të fuqishme, dhe nuk po arrijnë të merren vesh për një qeverisje që kthen shpresën e qytetarit dhe ligjin në vendin e duhur.

“Kjo është një tirani që e sundon këtë popull, dhe thjeshtë ky popull duhet të çlirohet por deri më tani, fatkeqësisht nuk po ka se kush ta drejton. Kemi pasur vetëm tentative, dhe populli u gëzua kur votoi për krahun e opozitës LVV dhe LDK duke besuar se këta do të çlirojnë duke qeverisur ndryshe por fatkeqësisht po shihet që segmente të caktuara të asaj politike kriminale kanë depërtuar edhe në këto parti politike dhe shpresat po shkojnë duke u shuar sepse kjo ishte shpresa e fundit që po menaxhohet aq keq sa që ky popull po i humbë shpresat edhe për ndryshim por edhe për kapjen e shtetit,” përfundon profesor, doktor Jeton Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)