Gjermania do ta zvogëlojë numrin e ushtarëve në Irak

  • 07 January 2020 - 11:01
Gjermania do ta zvogëlojë numrin e ushtarëve në Irak

Qeveria gjermane tha se do të zhvendosë një pjesë të trupave nga Iraku në vendet fqinje të këtij shteti për shkak të shqetësimeve për nivelin e sigurisë. Ky njoftim erdhi vetëm katër ditë pas vrasjes së gjeneralit iranian, Qasem Soleimani, nga forcat amerikane.

Pas rritjes së tensioneve në Lindjen e Mesme për shkak të vrasjes së ushtarakut të lartë, vendim për zhvendosjen e trupave nga Iraku ka marrë edhe vendi tjetër i Evropës Qendrore, Sllovakia.

Tridhjetë nga 120 ushtarët gjermanë që janë të vendosur tash për tash në Irak, detyrë e të cilëve është kryesisht trajnimi i forcave irakiane, do të dërgohen në Jordani dhe Kuvajt, njoftoi qeveria gjermane.

Pjesa tjetër apo 90 ushtarë gjenden në pjesën veriore të Irakut, e cila banohet me shumicë kurde.

Ministri i jashtëm gjerman, Heiko Maas, tha se në Irak mund të kthehet Shteti Islamik, nëse trupat e huaja largohen nga ky vend. “Askush nuk e dëshiron këtë”, tha ai.

Ndryshe, deputetët irakianë e kanë miratuar rezolutën me të cilën kërkohet largimi i trupave amerikane.

Në anën tjetër, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka kërcënuar Irakun me sanksione të ashpra, nëse ky shtet i dëbon trupat amerikane, shkruan “Reuters”.

(Kosova Sot Online)