Zbardhet e gjithë prapaskena, akuza: Ja pse duhet të hetohet Thaçi dhe vëllezërit e tij

  • 09 January 2020 - 07:50
Zbardhet e gjithë prapaskena, akuza: Ja pse duhet të hetohet Thaçi dhe vëllezërit e tij

“Për aq më tepër, tanimë duhet qartësuar deri në detaje edhe fakti se a është bërë e gjitha kjo me ndikimin e Hashim Thaçit dhe pse është lejuar deri me tani operimi i kësaj kompanie, nga vëllezërit e tij, të cilët e kane shfrytëzuar pushtetin si familjar të Hashim Thaçit, për t'i trashur milionat e tyre, në dëm të qytetarëve”, thotë analisti, Gani Qarri në bisedë për “Kosova Sot Online”.

Sipas një njoftimi zyrtar të bërë publik më 7 nëntor nga Komuna e Malishevës, të gjitha aktivitetet e kompanisë “Geo Mineral”, e cila është në pronësi të Idriz Thaçit, vëllait të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, janë pezulluar nga kjo komunë që nga dita e hënë.

Përveç firmës “Geo Mineral”, vendimi i Kuvendit Komunal të Malishevës ka prekur të gjitha kompanitë gurëthyese që operonin në këtë komunë.

“Kuvendi i Komunës së Malishevës në mbledhjen e sotme ka marrë vendim për pezullimin e të gjitha vendimeve dhe pëlqimeve për operimin kompanive të gurthyesve në territorin e komunës së Malishevës”, thuhet në njoftimin e Kuvendit Komunal të Malishevës, pas mbledhjes së mbajtur të hënën.

E analistët politikë e konsiderojnë këtë vendim, si një goditje të rëndë për Thaçin dhe vëllezërit e tij. Kur bëhet e ditur kjo lidhje e fuqishme biznesore e familjes së ngushtë të Presidentit Thaçi, analistët mendojnë se po të kishim shtet të mirëfilltë të së drejtës, jo vetëm që ishte ndaluar, por edhe do të duhej hetuar kjo kompani për shkatërrimin e natyrës, për të parë se si dhe kush ia kishte dhënë lejen kësaj kompanie për të operuar në Malishevë, dhe se a është bërë kjo me ndikimin e Hashim Thaçit.

Analisti politik. Gani Qarri ka dyshim të plotë se në këtë biznes të vëllait të tij, ka hise të madhe edhe Hashim Thaçi, ndryshe nuk ka se si të jetë krijuar pasuria e tij aq e madhe.

Image
Gani Qarri

“Pas ngjitjes së Hashim Thaçit në postet më të larta politikbërëse të shtetit të brishtë të Kosovës, çuditërisht brenda natës, u rrit në mënyrë marramendëse edhe fuqia biznesore e vëllezërve të tij, sidomos në fushën minerare, energjetike, atë të ndërtimeve, naftës dhe sigurimeve. Që nga viti 2007, kur Hashim Thaçi u emërua kryeministër i Kosovës, fuqia e tij nuk ishte dominuese më vetëm në politikë, por edhe ajo vëllezërve të Thaçit, u bë pothuajse e pa-konkurrencë, madje në disa sektorë, si p.sh, Gani Thaçi udhëhiqte me sigurimet, Blerimi me ndërtime, Idrizi me energji dhe ato minerale...etj. Fuqia politike dhe ekzekutive e Hashim Thaçit, bëri që vëllezërit e tij, vetëm disa muaj pas ardhjes së Thaçit në krye të qeverisë, pothuajse brenda natës, apo thënë më saktë ,vetëm pak muaj pas ardhjes së Thaçit në pushtet, nga zeroja, krijuan kompanitë e veta dhe u ngritën në magnatët kryesor të biznesit në gjithë Kosovën”, thotë Qarri për “Kosova Sot Online”.

Madje analisti Qarri saktësisht zbulon edhe kohën e fillimit të punës së gurëthyesit të vëllait të Hashim Thaçit, e që ndërlidhet me marrjen e mandatit të tij për kryeministër në vitin 2008.

“Në muajin maj të vitit 2008 , kohë kur Hashim Thaçi kishte bërë vetëm pesë muaj si kryeministër i vendit, Idriz Thaçi vëllai i mesëm i Hashimit, tanimë kishte hapur gurthyesin “Geo Mineral”, në Astrazub të Malishevës, i cili punoi pandërprerë, në rrethana të pasqaruara asnjëherë, deri më tani. Ndërsa ende pa mbushur vitin në krye të qeverisë Hashim Thaçi, i vëllai i vogël i tij, Blerim Thaçi u bë bos i ndërtimeve në Kosovë, ani pse deri atëherë nuk figuron askund, që ai të ketë pasur edhe më parë ndonjë pasuri apo firmë me fuqi të madhe financiare, e cila do ti mundësonte atij, që brenda natës të ngritej kaq fuqishëm në biznes”, shton Qarri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Qarrit, përfitime të majme ka siguruar kjo kompani nga kontrata që kishte nënshkruar më Bechtel- Enka për furnizim me gurë gjatë ndërtimit të autostradës, pasi kjo ishte bërë nën ndikimin e Hashim Thaçit, sikur që ka ndodhur edhe me angazhimet në institucione dhe bizneset tjera të vëllezërve të presidentit aktual Thaçi.

“Kompani e Idriz Thaçit cila përveç involvimit si nënkontraktor i Bechtel-Enkas për ndërtimin e autostradës së Kosovës,projektit më të madh infrastrukturor në vend, ka qenë e privilegjuar edhe me tenderë publikë nga KEK-u, me vlera një milionëshe të cilin edhe atë e udhëheqë kushëriri i Hashim Thaçit, me të kaluar penale, Nijazi Thaçi. Ndërsa vëllai i madh i Hashimit, Gani Thaçi, tek i cili në janar të vitit 2000, me rastin e bastisjes nga policia e UNMIK-ut përveç një arme, policët kishin gjetur edhe 250 mijë dollarë, gjatë gjithë periudhës së pasluftës, pikërisht ai, ishte pjesë e vendimmarrjes në industrinë e sigurimeve, madje një kohë ishte emëruar edhe Drejtor Ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimit, organizatë kjo që monitorohet drejtpërsëdrejti nga Banka Qendrore e Kosovës”, theksoi Qarri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Qarrit, sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, edhe pagesat për policat e automjeteve të mërgimtarëve që vijnë nga vendet perëndimore për pushime në Kosovë, shkojnë direkt në të ashtuquajturën Shoqatën e Sigurimeve të Kosovës, që realisht kontrollohej nga kush tjetër përpos, nga vëllai i madh i Hashimit, Gani Thaçi.

“Të gjitha këto veprimtari, kanë qenë të pa prekshme deri më tani, një lloj monopoli, derisa ndodhi kjo me gurëthyesin në komunën e Malishevës. Vetëm tani, të hënën që lamë pas, përmes një vendimi të Kuvendit Komunal, të gjitha aktivitetet e kompanisë “Geo Mineral”,gurëthyesit që prej majit të vitit 2008, ndodhet në pronësi të Idriz Thaçit, vëllait të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, janë pezulluar nga Komuna e Malishevës. Kuvendi i Komunës së Malishevës në mbledhjen e të hënës, përfundimisht mori vendim për pezullimin e të gjitha vendimeve dhe pëlqimeve për operimin e kompanive të gurthyesve, kështu që përveç firmës “Geo Mineral”, aktvendimi në fjalë, ka prekur të gjitha kompanitë gurëthyese që operonin pothuajse në mënyrë klandestine në territorin e komunës së Malishevës. Kështu që kjo është vetëm goditja e parë e rëndë për Hashim Thaçin dhe vëllezërit e tij, që pas formimit të qeverisë së re, pritet të shpeshtohen, kompani e cila përveç ndalimit, duhet edhe te hetohet, sidomos për shkatërrimin e natyrës, si dhe të sillen para drejtësisë edhe personat përgjegjës që i kanë dhënë lejen kësaj kompanie për te operuar pothuajse gati në mënyrë klandestine ne Malishevë”, shton Qarri për “Kosova Sot Online”.

Hapi tjetër që duhet ndërmarr tani, sipas Qarrit duhet të jetë hetimi i detajuar.

“Për aq më tepër, tanimë duhet qartësuar deri në detaje edhe fakti se a është bërë e gjitha kjo me ndikimin e Hashim Thaçit dhe pse është lejuar deri me tani operimi i kësaj kompanie, nga vëllezërit e tij, të cilët e kane shfrytëzuar pushtetin si familjar të Hashim Thaçit, për t'i trashur milionat e tyre, në dëm të qytetarëve”, përfundon analisti Qarri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)