Rrëfehet “killeri” 16 vjeçar/ “Ja çfarë ndodhi me nusen e xhaxhait dhe si e vrava…”

  • 09 January 2020 - 11:40
Rrëfehet “killeri” 16 vjeçar/ “Ja çfarë ndodhi me nusen e xhaxhait dhe si e vrava…”

Krimi horror i ndodhur në fshatin Gjerpës të Mallakastrës, ku Drita Saliaj, u mbyt me peshqir dhe më pas u hodh në ujërat e rezervuarit të Lumarës, kalon çdo limit të vrasjes së një jete njeriu.

Drita Saliaj, jetonte e vetme në banesën e saj, ndërkohë që në mesnatën e 5 janarit 2020 është sulmuar dhe më pas vrarë nga tre persona që, për policinë dhe prokurorinë e Fierit, janë Luis Saliaj, nipi i burrit të viktimës dhe dy shokët e tij Sindi Shehaj e Ervis Zotaj.

Trupi i pajetë i Drita Saliaj, u gjet nga polumbarët gjysmë i zhveshur, ndërkohë dy ditë pas kësaj ngjarje tejet të rëndë, “Shqiptarja.com” hedh dritë mbi të gjithë dinamikën e këtij krimi të shëmtuar.

Gjithçka është treguar nga goja e protagonistit të këtij krimi, 16-vjeçarit Luis Saliaj, ku siç rrëfen ai dy shokët e tij Ervisi dhe Sindi, i kishin thënë: “…do të ikim të marrim hashashin në shtëpinë e Dritës, gruas së Hair Saliaj…”. 16-vjeçari tregon se nuk ka hyrë në banesë por ka qëndruar jashtë shtëpisë së Dritës dhe pas 30 minutave ka parë se Ervisi dhe Sindi kanë dalë jashtë, ku në duar mbanin trupin e pajetë të Dritës, duke i kërkuar ndihmë që ta fusnin në makinë.

I mituri ka pohuar në polici, se nuk ka asnjë lidhje me krimin e rëndë, dhe se para se të ndodhte ngjarja, ai ishte në shtëpinë e gjyshit të tij në një fshat tjetër. Me Sindin dhe Ervisin, ishin takuar në autostradë dhe pasi e kanë marrë në makinë, sipas tij ata i kanë propozuar për të shkuar në mesnatë në shtëpinë e Drita Saliaj.

Por ajo që ngreh shumë pikëpyetje për grupin e hetimit është fakti se në banesën e familjes së Luis Saliaj që ndodhet 30 metra larg asaj të viktimës gjatë këqyrjes së saj, mbi tavolinë janë gjetur 4 pjata me përmbajtje ushqimi dhe një gotë ujë, gjë e cila ka ngritur dyshime të forta se tre autorët kanë qenë bashkë dhe kanë hartuar një plan konkret.

Rrëfimi i të riut në polici

Rezulton se në orët e mbrëmjes së 6 janarit 2020 në ambientet e komisariatit Mallakastër janë paraqitur, Mimoza Saliaj, së bashku me djalin e saj Luis Saliaj 16-vjeç, të dy me banim në fshatin, Gjerpës Mallakastër. Nënë e bir, kanë denoncuar zhdukjen e të afërmes së tyre, Drita Saliaj, gruaja e xhaxhait të 16 vjeçarit. Sipas rrëfimit të nënë e bir në polici, Drita Saliaj, jetonte e vetme, pasi të shoqin dhe fëmijët i kishte jashtë shtetit në emigracion dhe për këtë zhdukje akuzonin, Ervis Zotaj, nga fshati Gjerpës dhe Sindi Shehaj nga fshati Çerrile.

Vetë Luis Saliaj ka treguar para policëve detaje nga ky krim i rëndë, detaje që më pas kanë ndryshuar pozicion e tij në këtë çështje, ku nga dëshmitar ai është marrë në përgjegjësi penale. Më tej 16-vjeçari ka treguar si më poshtë: ”…kam dalë nga shtëpia e gjyshit dhe kam shkuar në autostradë, ku kam pritur në këmbë, derisa aty erdhi Sindi Shehaj, me automjetin e tij, ku me vete kishte marrë edhe Ervisin.

Hipa në makinën e Sindit dhe Ervisi, i cili ishte pasagjer në vendin e parë të makinës, dhe më tha që “…do të ikim të marrim hashash në shtëpinë e Dritës, gruas së Hair Saliaj…”. Sqaroj se Drita Saliaj është gegeja ime, pasi i shoqi i saj Hair Saliaj është kushëri i parë me babanë tim. Më tej në rrëfimin para oficerëve dhe një prokurori të seksionit të të miturve në prokurorinë e Fierit, Luis Saliaj, ka treguar se si më poshtë: 

“Unë i thashë, Sindit dhe Ervisit, mua mos më ngatërroni me këto gjëra, por Ervisi më qëlloi me pëllëmbë në fytyrë duke më sharë…mbylle gojën se të q… robt…”. Kur erdhëm në fshatin Gjerpës, rreth orës 00:30 të datës 5 janar 2020, u afruam te shtëpia e Dritës, duke i rënë nga rruga prapa shtëpisë së saj, ku mua më lanë te puseta që ndodhet 20 metra pas shtëpisë së Dritës, ndërsa vetë Sindi me Ervisin, e kanë lënë makinën e tyre te porta e vogël, pas shtëpisë së saj.

Ervisi me Sindin kanë hyrë në avllinë e shtëpisë së Dritës, dhe kanë trokitur te dera e shtëpisë, ku unë pashë dhe dëgjova që Ervisi i ra derës dhe i tha nga jashtë: “…Drita jam unë, Visi…”. Drita më pas ka hapur derën nga brenda shtëpisë së saj dhe ata të dy kanë hyrë brenda, ku kanë qëndruar afro gjysmë ore në shtëpi. Më pas, kam parë që Ervisi me Sindin, e kanë nxjerrë Dritën të lidhur nga duart prapa dhe këmbët me spango. Unë, pasi i pashë se çfarë po bënin Ervisi me Sindin, u kam folur nga puseta ku isha: “…Çfarë po bëni kështu…”, por Ervisi më tha: “…hajde këtu poshtë…”. Unë kam vajtur te vendi ku ishte makina e tyre dhe në kohën që po fusnin Dritën, të lidhur brenda në makinë, u them edhe një herë: “…Çfarë po bëni ore, çfarë bëni….?”, por Ervisi më godet me shqelm duke më rrëzuar përtokë dhe duke më sharë më thotë fjalët: “…do ta vrasim, prandaj mbyll gojën të q… robt dhe dil me vrap te kodra sipër….”.

Në atë moment, që ata po fusnin Dritën brenda në makinë, pashë që Drita kishte të veshur një bluzë si të kuqe dhe pantallona me ngjyrë të zezë. Pasi e futën Dritën të lidhur në sediljen e pasme të makinës së Sindit, Sindi u ul në sediljen e shoferit, ndërsa Ervisi u ul në sediljen e parë të pasagjerit dhe u larguan me automjetin e tyre në drejtim të liqenit të Çerjes.

S’qaroj se liqeni i Çerjes ndodhet pas liqenit të Lumare 1 dhe Lumare 2, dhe unë i pashë që po shkonin në drejtimin e lartpërmendur nëpërmjet dritave të makinës së Sindit. Më pas, unë jam larguar i vetëm në këmbë në drejtim të Povlës dhe pas afro një orë, Sindi me Ervisin më gjetën në rrugë duke ecur te benzinata në Povël dhe më kanë kërkuar që të hipja në makinën e tyre.

Më pas më kanë çuar te lokali 24-orësh në Poçem, ku edhe më kanë zbritur. Kur më zbritën, Ervisi më tha fjalët: “…mos më dil më përpara syve…” dhe së bashku me Sindin, u larguan për në drejtim të rrugës së Hekalit, që shkon për në Ballsh. Unë më pas kam pirë i vetëm kafe te lokali 24-orësh në Poçem dhe rreth orës 05:30 ka ardhur përsëri Sindi me automjetin e tij te lokali 24-orësh në Poçem. Kam hipur në makinën e tij.

Në atë moment, Sindi më tha që “…Ervisin e lashë në Hekal…”, pasi atje kishte lënë makinën e tij. Më pas Sindi më çoi te shtëpia e gjyshit tim në Roms dhe pas kësaj, ai u largua. Që nga ai moment që Sindi më çoi te shtëpia e gjyshit e deri ditën e sotme, unë nuk jam takuar dhe nuk kam komunikuar as me Sindin dhe as me Ervisin. Në mbrëmjen e datës 6 janar 2020, unë i kam thënë nënës sime Mimoza, se çfarë kishte ndodhur me Dritën dhe pas kësaj, nëna komunikoi me xhaxhanë tim Rakip Saliaj që jeton në Fier dhe të tre më pas kemi vajtur për të informuar për ngjarjen e ndodhur te Komisariati i Policisë Mallakastër”.

(Kosova Sot Online)